16:20 / E Enjte, 12 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Presidenti i UEFA-së Aleksander Çeferin i thërret në takim krerët e FFK-së, kërkon sqarime për situatën

Deklaratat e Federatës së Futbollit të Kosovës në emër të presidentit të UEFA-së, Aleksander Çeferin mund të hapin probleme për krerët e FFK-së.

Burime të Indeksonline, bëjnë të ditur që presidenti slloven ka thirrur në takim presidentin e FFK-së, Agim Ademi dhe sekretarin Eroll Salihu.

“Çeferin në takimin që e patën me të gjithë krerët e federatave tregoi se është i njoftuar nga Ademi për gjithçka që nga fillimi dhe me këtë rast shprehu përkrahjen e fuqishme për presidentin Ademi dhe stafin e tij, duke treguar gatishmëri që t’i mbrojë në rrugën e drejt dhe të vështirë për ta mbajtur futbollin larg njerëzve të politikës dhe grupeve të interesit. Ai ia tërhoqi vërejtjen Kosovës që të kenë kujdes që ta ruajnë futbollin dhe mos të prishet ëndrra e tyre dhe dëshira e miqve për suksese dhe simpati, derisa theksoi se për UEFA-n është plotësisht e qartë dhe e rregullt zgjedhja e presidentin Ademi për mandat katërvjeçar në krye të FFK-së” thuhet në njoftimin që FFK-ja lëshoi javën e kaluar.

Ndryshe, në përgjigjen zyrtare që UEFA ka dhënë për Indeksonline, bën të ditur që ajo nuk komenton në lidhje me çështjet e brendshme të federatave kombëtare.

Takimi mes presidentit Çeferin dhe zyrtarëve të FFK-së, do të zhvillohet të premten në selinë e UEFA-së në Zvicër.