19:23 / E Hënë, 02 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Presidenti Meta dhe Bebe Rexha inspektojnë gjendjen e banorëve në Bizë të Ishmit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta së bashku me këngëtaren me famë botërore Bebe Rexha, vizituan sot Famullinë e Bizës së Ishmit, ku u takuan me banorë dhe fëmijë të zonës të prekur nga tërmeti, si dhe u interesua për problemet dhe për nevojat imediate të tyre në këtë situatë emergjence.

Gjithashtu, Meta vizitoi edhe banorët e disa prej shtëpive më të dëmtuara, me të cilët diskutoi për menaxhimin e situatës së vështirë, rikuperimin e dëmeve të shkaktuara si dhe rikthimin e jetës së banorëve në normalitet.

Duke folur për median, Presidenti Meta u shpreh ndër të tjera se “I jam shumë mirënjohës Bebe Rexhës, artistes me fame botërore, e cila ka vendosur zemrën e saj në aksion për të ndihmuar rikthimin në normalitet të jetës së banorëve të prekur rëndë nga tërmeti”.

“Shumë faleminderit, Bebe Rexha për këtë solidaritet, për ndihmën konkrete për të rindërtuar dy shtëpi të shkatërruara në Bubq dhe Bizë (Ishëm), dhe mbi të gjitha për sensibilizimin që po i bën opinionit ndërkombëtar për t’i kthyer sytë nga kjo tragjedi dhe për përballimin e kësaj krize humanitare! Krenaria jote si shqiptare na jep forcë të gjithëve. Faleminderit dhe për atë kënaqësi që u dhe këtyre fëmijëve të këtij komuniteti të mrekullueshëm të fshatit Bizë në Ishëm!” tha Meta.

Këngëtarja e njohur Bebe Rexha, pasi u njoh me gjendjen e rëndë, në shenjë solidariteti dhe humanizmi u zotua se do të kontribuojë në rindërtimin e dy shtëpive të shkatërruara në Bubq dhe Bizë të Ishmit.

“Jam krenare që jam shqiptare dhe jam krenare që po ndihmoj shqiptarët. Jam shumë e lumtur që po ndihmojmë një familje tjetër dhe kjo është shtëpia e dytë që do të rindërtojmë. Kjo që ndodhi në Shqipëri ishte një fatkeqësi e madhe, por ne jemi shumë të fortë”, tha ajo.

“Dua t’u bëj një apel të gjithë shqiptarëve nëpër botë: është momenti që ju të ndihmoni bashkatdhetarët tuaj, duke bërë donacione, duke ndihmuar këta njerëz që t’ia nisin sërish nga e para dhe t’u japim mundësinë të kenë një jetë më të mirë.

Çdo ndihmë sado e vogël është e vlefshme. Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, deklaroi Bebe Rexha./ATSH/