14:42 / E Martë, 05 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Presidenti Thaçi: Pengesat s’duhet ta turbullojnë vizionin tonë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot po mban një adresim publik para rreth një mijë ushtarëve dhe oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi është shprehur krenar dhe shumë i privilegjuar para tyre.

“Ju me punën tuaj keni arritur t’i bëni krenarë prindërit tuaj, fëmijët tuaj, por mbi gjithçka, ju jeni krenaria e Republikës së Kosovës. Ne duhet reflektojmë së bashku për të arriturat deri më tani. Të flasim për zhvillimet në vendin tonë dhe së bashku të gjejmë përgjigje të përbashkëta për sfidat dhe mundësitë që i kemi para vetes. Cilësia e demokracisë sonë nuk duhet të varet vetëm nga një sprovë e përfaqësuesve politikë me qytetarin vetëm përmes zgjedhjeve. Unë besoj se demokracia ndërtohet dhe forcohet nga shkëmbimi i vazhdueshëm dhe i drejtpërdrejtë i ideve dhe përvojave tona”, ka thënë presidenti Thaçi, transmeton Indeksonline.

Ai ka shprehur mirënjohjen për faktin që sivjet kemi kaluar dy teste të rëndësishme të pjekurisë demokratike përmes organizimit të suksesshëm të zgjedhjeve.

“Aq më tepër kur kujtojmë faktin që këto zgjedhje janë mbajtur në një atmosferë jo të lehtë politike, ku debatet e brendshme ishin më të gjalla dhe dinamike se kurdoherë më parë”, ka thënë Thaçi.

Por, të kthejmë kokën prapa dhe kujtojmë të kaluarën tonë, ka thënë ai.

“Shpejtësia me të cilën Kosova ka arritur ta kthejë fatin e vetë në rrugë të mbarë në tri dekadat e fundit është e pashembullt. Ne e kemi pasur fatin dhe nderin të jemi pjesë e gjeneratës historike që e nxorëm këtë vend nga shkelja, përbuzja, keqtrajtimi dhe nënshtrimi. Kemi bërë shumë për vendin tonë dhe për këtë jemi përgjithmonë ballëhapur. Por, a ka përfunduar puna jonë me kaq? Sigurisht që Jo. Mendoj se ne mund të bëjmë shumë më tepër. Jemi afër nga data kur do të shënojmë dhjetëvjetorin e pavarësisë. Këto data na mundësojnë të shkëputemi nga përditshmëria dhe të bëjmë një reflektimi të përbashkët.

Të flasim për të arriturat dhe sfidat që i kemi tejkaluar, e po ashtu të mendojmë qetë edhe për ngecjet,  edhe dështimet, sado e pakëndshme të thuhet e mendohet kështu. Duhet të jemi plotësisht të sinqertë,  Kosova sot është duke kaluar sfida jo të lehta. Ne kemi arritur të konsolidojmë shtetin tonë, duke shtrirë institucionet në secilin cep të vendit, mirëpo në shumë fusha të funksionimit dhe qeverisjes, ende mbesin punë për t’u bërë. Edhe pse sot ne funksionojmë si shtet, ende shumë fusha mbesin jashtë autoritetit tonë shtetëror. Një numër i pa justifikuar i misioneve ndërkombëtare ende funksionon në Kosovë, duke krijuar përshtypjen se jemi në një stad shumë të hershëm të tranzicionit. Në rrafshin ndërkombëtar ne kemi arritur një numër të madh të njohjeve, dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, por nuk jemi ende aty ku dëshirojmë dhe meritojmë të jemi. Projektet që ne kemi përpara nuk janë lehta”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sipas tij, sfida të mëdha kemi përpara, por nëse fokusohemi dhe punojmë së bashku, ne mund t’i përballojmë e tejkalojmë.

“Kohërat e vështira mund të na hutojnë, mirëpo ne nuk guxojmë të lejojmë që pengesat ta turbullojnë vizionin tonë. E kaluara e jonë është e dhimbshme, e dominuar nga shtypja dhe pushtimi. Gjithmonë do t’i kujtojmë me dhembje të gjitha viktimat e pafajshme të luftës së përgjakshme. I kujtojmë me përulje por edhe krenari të gjithë martirët dhe heronjtë që dhanë jetën e tyre për lirinë që ne sot e gëzojmë. Nuk harrohen dhe nuk duhet të harrohet kurrë deportimi i gjysmës së popullsisë tonë, në një përpjekje për spastrim etnik. Kjo dikujt mund t’i duket se po flasim për një histori të vjetër e të harruar, por jo. Po flasim për historinë tonë, për vëllezërit dhe motrat, të afërmit dhe miqtë tanë, për vuajtjen tonë. Vuajtja ende nuk ka përfunduar, sepse edhe sot shumë familje në Kosovë, vazhdojnë të jetojnë duke mos e ditur se ku i kanë të afërmit e tyre. Me gjithë këtë barrë historike, ne nuk do të lejojmë që dhimbja dhe tmerri që kemi përjetuar, të na mbajnë peng. Nuk do të mendojmë dhe as nuk do të sillemi si viktima, sepse ne e kemi fituar luftën, dhe kemi një histori me të cilën mburremi. Por, detyra historike që kemi para vetes është që ta fitojmë edhe paqen”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se qëllimi ynë mbetet i qartë, të ndërtojmë  një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës si një vend i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm, me përcaktim evropian dhe euroatlantik, duhet të jetë e pakontestuar dhe e integruar në familjen e kombeve botërore.

Këto qëllime duhet t’i arrijmë me ngulm e vetëbesim, ka thënë Thaçi, duke përmbushur standardet demokratike, por jo duke u bërë servil të projekteve shterpe, të cilat shpesh janë të importuara dhe të imponuara./Indeksonline/