11:22 / E Enjte, 21 Qershor 2018

Prezantohen rezultatet e Anketës me Tatimpagues 2017

Administrata Tatimore e Kosovës prezantoi rezultatet e anketës me tatimpagues për vitin 2017 lidhur me transparencën, efikasitetin, korrektësinë dhe shërbimet e ATK-s, ku u tha se rimburësimi, dokumentimi dhe llogari mbajtja janë procedurat më të vështira.

Raporti tregon se në përgjithësi tatimpaguesit janë të kënaqur me disponueshmërinë dhe cilësinë e informacionit nga ATK-ja.

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri, tha se mënyra më efektive për të përfituar dhe mbajtur përmbushjen vullnetare është ndërtimi i raporteve të besimit dhe respektit të ndërsjellë në mes të ATK-së dhe tatimpaguesve të Kosovës.

“Anketa e dytë ka këtë qëllim, që ne t’i identifikojmë të metat tona, aty ku tatimpaguesit konsiderojnë dhe vlerësojnë veprimet tona si të pamjaftueshme në ofrimin e shërbimeve për ta. Bazuar në të gjeturat e kësaj ankete ne do t’i orientojmë aktivitetet tona në mënyrë që tatimpaguesit t’i realizojnë të drejtat e tyre që i takojnë me ligj, dhe nuk do të lejojmë që ato të drejta të cenohen në çfarëdo forme”, tha ai.

Mes tjerash, ai tha se ATK është e orientuar drejt ofrimit të shërbimeve elektronike.

Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, tha se do të shikojnë të gjitha të metat që kanë deklaruar tatimpaguesit, në mënyrë që të rregullojnë ato.

“Unë po zotohna këtu para jush se MF të gjitha rekomandimet e dala nga ky ambient, do të angazhohet së bashku me ATK në rregullimin e tyre. Së fundi është edhe rimburësimi, i cili do të jetë shumë më i shpejt dhe shumë më i qartë”, u shpreh ai.

Kadri Jõgiste, udhëheqëse e projektit për Reformë në Sistemin e Financave Publike në Kosovë GIZ vlerësoi se ATK po bënë përpjekje për përmirësimin e raporteve me tatimpaguesit.

Ndërsa të gjeturat i prezantoi drejtoresha e Kompanisë UBO Consulting, Valmira Rexhbeqaj, e cila tha se motivet kryesore për zhvillimin e këtij studimi ishte pasqyrimi i shqetësimeve që tatimpaguesit kanë si dhe të bëhet krahasimi me të gjeturat e viteve tjera, me ç’rast këto të fundit të shërbejnë për ATK-në gjatë hartimit të planit strategjik.

“48 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se shkëmbejnë informata me zyrtarët e ATK-së çdo tre muaj, ndërsa 22 për qind një herë në vit. Përpos shkëmbimit të informatave, mbi 50 për qind te tatimpaguesve kanë deklaruar se komunikimi i tyre me ATK-në bëhet përmes kontabilistit”, theksoi ajo.

Temat: