11:12 / E Mërkurë, 11 Prill 2018 / indeksADMonline

Princesha gjermane zemërohet: Jo dëbimit të familjes kosovare

Familja shqiptare Muhaxheri nga Kosova, e cila përbëhet nga Blerimi, bashkëshortja e tij dhe fëmijët Anita 16 vjeçe, Alberti 15 vjeç dhe Fatjoni 12 vjeç, është e integruar mirë në Leutkirch të Gjermanisë. Në tregun e punës, në shkollë dhe në shoqata sportive.

Por, ajo do të duhet të llogaritë që mund të dëbohet në të ashtuquajturin “shtet me prejardhje të sigurt”, Kosovë. Blerimi për momentin i është drejtuar grumbullimit të peticionit për t’ia parashtruar Qeverisë krahinore të Shtutgartit.

Ndaj dëbimit, tek ai mund të vërehet qartë dëshpërimi i madh: “Pas arratisjes nga vendlindja, me familjen time gjeta mundësi, shpresë dhe një vendbanim të ri në Leutkirch. Tani, nga shteti gjerman jam i detyruar t`i dorëzoj të gjitha dhe t`i nënshtrohem rrezikut për familjen time. Ju lutem na ndihmoni, unë u përpoqa për gjithçka”, transmeton albinfo.ch.

Princesha gjermane Martina von Quadt, e cila për vite të tëra është duke u përkujdesur për refugjatët në Allgau, është zemëruar nga ky rast: “Mua më mungon çdo mirëkuptim kur familja u dashka dëbuar! Autoritetet po dëshmojnë zero tolerancë mbi çmimin e humanizmit”, ka pohuar të hënën në një intervistë me të përditshmen gjermane “Schwäbischen Zeitung”.

Edhe Priska Wunden, e cila tashmë njëzet vite merret me çështjen e refugjatëve, nuk mund ta kuptojë rastin e kësaj dhe shumë familjeve tjera, duke parashtruar pyetjen: “Çfarë kuptimi ka që këta persona kaq mirë të integruar në Gjermani, për të cilët kemi nevojë, të dëbohen nëpër vendlindjet e veta ku llogariten të huaj?”.

Për momentin Blerimi është duke punuar tek firma “Dethleffs” në Isny, ku vlerësohet shumë nga bashkëpunëtorët. Edhe bashkëshortja e tij, e cila aktualisht është në trajtim mjekësor, ka gjetur punë në sektorin e artikujve ushqimorë. Fëmijët janë duke vijuar shkollimin.

“Ju na takoni neve”, mund të lexohet në një parullë, e cila është shpërndarë për përkrahjen online të familjes dhe që është nënshkruar nga 1 400 përkrahës. Por, brenga e familjes është e madhe, pasi gjatë të enjtes është paraparë dëbim kolektiv nga aeroporti i Badenit për në Kosovë. Mbetet të shihet nëse edhe familja Muhaxheri do të jetë në këtë rreth!