15:41 / E Shtunë, 17 Gusht 2019 / indeksADMonline

Prindërit- Psikologët më të mirë të fëmijëve

Ne jetojmë në një kulturë që është e stërmbushur me porosi që të jemi sa më të arritur e sa më të suksesshëm.

Shtatori është një muaj sa i dashur aq edhe stresues si për fëmijët ashtu edhe për prindërit. Çdo prind dëshiron që fëmija i tyre të bëhet i suksesshëm dhe të arrijë sa më shumë në jetë, por është e rëndësishme të bëni një hap prapa dhe të i’a kujtoni vetes se ata janë ende vetëm fëmijë. Përveq mësimeve dhe detyrave, ata kanë nevojë që ta lirojnë stresin dhe të shoqërohen me fëmijët e tjerë. Shumë fëmijë mund të kenë frikë ta pranojnë se janë të mbingarkuar nga detyrat e shtëpisë, sepse do te tingellonin si dështim në veshin e prindit. 

Kur fëmijët janë në klasë të parë sigurisht që kanë nevojë për udhëzimin dhe ndihmën tonë, por nuk kanë nevojë për energjinë tonë të mbushur me brenga , stres dhe frikë nga deshtimi e mos suksesi. Sot, fëmijët nuk i shikojnë detyrat e shtëpisë si një mundësi që të mësojnë , eksplorojnë dhe zbulojnë por i shikojnë si sfida që duhet t’i kalojnë për të mos u qortuar, kjo krijon presion tek ata.  Arsyeja pse ka kaq shumë pakënaqësi rreth kryerjes së detyrave, është sepse mësimi nuk është më me qëllim kërkimor dhe kënaqësi por është një lloj nxitje stresuese. Zakonisht beteja për kryerjen e detyrave fillon në mbrëmje dhe është rutinë në pothuajse çdo shtëpi.

Hulumtimet kanë treguar se nëse një femijë është i mbingarkuar me detyra të shtepisë, kjo mund të ndikojë negativisht tek ata. Aty krijohet një mosbalancim i kohës që fëmija e shpenzon duke luajtur dhe kohës që fëmija e shpenzon duke i bërë detyrat.  Nga mbingarkesa fëmija mund të ketë kokëdhimbje, pagjumësi, madje edhe ulçerë. Gjëja më e mirë që një prind mund të bëjë për fëmijën e tij është ta bëjë shtëpinë një vend të sigurt ku ata shprehen lirshëm. Ne mund ta arrijmë një gjë të tillë duke i dëgjuar dhe duke mos i gjykuar fëmijët tanë që këta të fundit të i’u japin zë nevojave të tyre. Ne duhet ta krijojmë një ambient i tërheq ata tek të mësuarit, këtu hynë : prezenca jonë , energjia jonë, kreativiteti dhe loja ,pasiqë fëmijët argëtohen dhe mësojnë përmes lojës.

Ja disa mënyra se si mund ta ndihmoni fëmijën tuaj:

• Shpeshtoni kohën që e shpenzoni së bashku, sidomos ngrënien e vakteve

• Mundohuni të vëreni shprehje të ankthit

• Flisni me ta për ndjenjat e tyre

• Mundohuni të ju ndihmoni që të gjejnë gjëra që ata mund ti bëjnë në mënyrë që të ndihen mirë

• Sigurohuni që po flenë mjaftueshëm dhe

• Sigurohuni që nuk po i mbingarkoni

Mund të mos jenë të gjitha lëndët shkaktare që fëmija juaj stresohet.  Prindërit duhet të zbulojnë nëse është një lëndë specifike e detyrave të shtëpisë që po shkakton stres. Mund të jetë sasia ose përmbajtja që shkakton stres, kështu që hapi i parë është identifikimi i problemit. Punoni me fëmijën tuaj për të krijuar një orar për kryerjen e detyrave të shtëpisë me kohë.  Mund të caktoni një periudhë te veçantë kohore për detyrat e shtëpisë dhe të planifikoni kohën edhe për aktivitete të tjera.  Mbani një ekuilibër midis detyrave dhe lojës.

Të kuptuarit që fëmija juaj është i stresuar në lidhje me detyrat e shtëpisë, nuk do të thotë qe ata të mos provojnë ti kryejnë ato. 

Lërini të ulen dhe të punojnë aq sa munden dhe inkurajoni të kërkojnë ndihmë për gjërat në të cilat hasin vështirësi.

Si prind ne shpesh herë nuk i dijmë pasojat e sjelljes tonë. Disa gjëra që ne na duken të pa rëndësishme mund të kenë ndikim shumë të madhë tek të vegjlit tanë.

Kultura na ka imponuar si të ndihemi, si të mendojmë dhe si të besojmë.

NUK ËSHTË E VËRTETË se një fëmijë do të jetë i suksesshem nëse është i ndëgjueshëm.

NUK ËSHTË E VËRTETË se një fëmijë do të jetë i suksesshëm nëse është i urtë.

NUK ËSHTË E VËRTETË se një fëmijë do të jetë i suksesshëm nëse të gjitha notat i ka pesë (5)

Të gjitha këto mendime janë të bazuara në frikë.

Shumë prindër nuk i shohin fëmijet e tyre për atë që janë në të vërtetë.

Ata veqse e kanë projektuar në kokën e tyre një  “fëmijë perfekt” dhe mundohen që ato tipare të i’a mveshin fëmijës së tyre.

Le ti heqim syzet tona projektuese nga sytë, le të ju kushtojmë rëndësi fëmijëve tanë për atë që janë në vend të asaj që ne do të donim të ishin.

Nje prind i ndërgjegjshëm është ai i cili fillon ta kuptojë sa i kushtëzuar është ai nga kultura dhe vetë fëmijëria e tyre dhe nuk dëshiron ta imponojë këtë gjë edhe tek fëmija i tij.

Dashuria pa ndërgjegjje bëhet nevojë, varshmëri dhe kontrollë.

Dashuria e vërtetë vie me liri, pa asnjë kusht, pa asnjë pritshmëri.

Le ti rrisim fëmijët tanë si të rritur që jemi sot, jo me fëmijën tonë të brendshëm.

Le t’i kushtojmë rëndësi çdo momenti ashtu siç është në vend të atij që do të donim të ishte./Indeksonline/