17:16 / E Enjte, 05 Korrik 2018 / indeksADMonline

Prishtina së shpejti edhe me tre stacione policore

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi ka zhvilluar një takim me kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti me të cilin kanë diskutuar rreth sigurisë në bashkësi në kryeqytet.

“Në këtë takim theks i veçantë iu bashkëpunimit të Policisë së Kosovës dhe komunës së Prishtinës, sa i përket organizimit të trafikut gjatë sezonës së verës, ku ka më shumë ngarkesë të trafikut, për shkak edhe të ardhjes së mërgimtarëve. Ministri Gashi me këtë rast shprehi gatishmërinë e plotë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të për avancimin e sigurisë në bashkësi, sidomos vëzhgimet afër shkollave, me qëllim të parandalimit të shitjes dhe përdorimit të dograve. Ai tha se janë shumë të rëndësishme edhe Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në raportimin e rasteve për sigurinë në komunitet”,thuhet në komunikatën e MPB-së.

Më tej, tregohet se Ahmeti e ka mirëpritur këtë bashkëpunim me MPB-në dhe Policinë e Kosovës.

“Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, theksoi se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me MPB-në, sidomos në fazën e implementimit të ligjit për Prishtinën, për formën e organizimit të policisë komunale dhe për këtë është shumë e rëndësishme që të rregullohet sipas formave që organizohen kryeqytetet e rajonit.Në këtë takim u bisedua edhe sa i përket projekteve për ndërtimin e objektit për prodhim të dokumenteve, për ndërtimin e tre stacioneve policore dhe përfshirjen e plotë të kamerave të komunës së Prishtinës me Policinë e Kosovës, me qëllim rritjen e sigurisë në kryeqytet”, përfundon komunikata.