20:11 / E Diele, 02 Shtator 2018 / indeksADMonline

Pritet grevë e operatorëve të autobusëve në të gjitha komunat e Kosovës, deklarohet ministri Lekaj

Linjat e autobusëve nga Gjakova për në Prishtinë kanë mbajtur një grevë të përgjithshme përgjatë ditëve të kaluara.

Këta të fundit nuk po pranojnë shkurtimin e kohës për nisje çdo 15 minuta. Sipas tyre nuk ka numër të mjaftueshëm të udhëtarëve, që linjat në fjalë të shpeshtohen.

Ndërkohë sipas burimeve të Indeksonline kësaj greve do t’i bashkohen edhe operatorët e autobusëve nga komunat e tjera, të cilët hallin e kanë futjen e një operatori të ri në linjat e autobusëve.

Lidhur me këtë Indeksonline ka kontaktuar Ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Lekaj ka theksuar se nuk kanë ndonjë informacion për një grevë të përgjithshme duke thënë se Ministria e Infrastrukturës shpreson që  ata të cilët janë të licencuar të mos bien pre e disa individëve që tentojnë të krijojnë monopole.

“Ne nuk kemi asnjë informacion për ndonjë grevë të paralajmëruar nga linjat e autobusëve dhe shpresojmë që ata të cilët janë të licensuar nga Ministria e Infrastrukturës nuk do të bien pre e disa individëve që tentojnë të krijojnë monopole”, ka thënë Lekaj.

Lekaj gjithashtu ka theksuar se janë mbajtur disa takime me përfaqësues të transportuesve rrugorë, nga të cilat kanë dëgjuar kërkesat të cilat kanë.

“Kemi pas disa takime me përfaqësues të transportuesve rrugorë, prej të cilëve kemi dëgjuar të gjitha kërkesat dhe ankesat që ata kanë dhe kemi rënë dakord për të shqyrtuar të gjitha ato. Prandaj, ne edhe kemi filluar këtë proces, por ju rikujtojmë që ne veprojmë në bazë të ligjeve dhe procedurave përkatëse”,ka shtuar tutje ministri Lekaj.

Lekaj ka thënë poashtu se protestat janë e drejtë e gjithsecilit dhe se MI nuk tenton t’i ndalë, por që ato duhet të jenë të arsyeshme.

Ndryshe problem të ngjashëm për futjen e një operatori të ri e kishin cilësuar edhe komuna e Prizrenit dhe ajo e Pejës, ku operatori në fjalë ka linja të qarkullimit.

Greva në Gjakovë u bë nga njëmbëdhjetë operatorë të autobusëve sa janë gjithsej./Indeksonline/