12:23 / E Enjte, 11 Mars 2021 / OSH

Pritet vendimi i Gjykatës Supreme për rinumërim të votave/ Ish-kryetari i KQZ-së: Kërkesë e pavend, ekstreme

Ish-Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, në një prononcim për IndeksOnlinen ka vlerësuar se kërkesa e disa partive politike në Kosovë që të rinumërohen të gjitha votat e 14 shkurtit është e pavend dhe ekstreme.

Baraliu ka thënë se nuk duhet humbur kohë për gjëra që nuk kanë rëndësi dhe dobi.

Njëkohësisht, njohësi i çështjeve kushtetuese, Baraliu shtoi se 208 ankesat e kandidatëve për deputetë do duhej të trajtoheshin me seriozitet nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa dhe Gjykata Supreme.

Sipas tij, me këtë do të mjaftonte çështja e rinumërimit.

“Mundet të ketë arsyetim ligjor për kërkimin e rinumërimit të të gjitha votave të zgjedhjeve, por KQZ-ja nuk e ka bërë, ajo ka vlerësuar se në disa vendvotime të rinumërohen votat dhe kjo është kryer tanimë dhe pritet vendimi i Gjykatës Supreme, që është përfundimtar që të vendoset nëse ka nevojë të bëhet rinumërimi i plotë.

Por, unë mendoj që nuk ka nevojë që të bëhet rinumërimi i sërishëm, është kërkesë, mendoj unë, e pavend, ekstreme, për arsyje se aty ku janë numëruar votat e partive kanë qenë të gjithë komisionerët “sy e vesh” dhe mendoj se aty nuk ka pasur dhe s’ka pasur mundësi të ketë abuzime”, tha ai.

Ai shtoi se rinumërimi i votave i 95% të vendvotimeve në zgjedhjet e kaluara nuk solli asnjë rezultat, por vetëm dëmtim të procesit zgjedhor.

Baraliu pati edhe një porosi për partitë politike. Ai tha se partitë politike kanë përgjegjësinë kur ndodhin abuzime me vota, për shkak të dërgimit të militantëve për komisionerë.

“Abuzimet si duket kanë ndodhur dhe po ndodhin hërë pas herë kur po bëhet numërimi i votave të kandidatëve, prandaj ato 208 ankesa që janë bërë do duhej të trajtohen me seriozitet nga PZAP-ja dhe Supremja dhe do të mjaftojë, sepse kjo formë e rinumërimit, herën e kaluar (në zgjedhjet e 2019) kryesuesja e KQZ-së tha se votat e 95% të vendvotimeve janë rinumëruar, mos paqin qenë 98% dhe në realitet nuk doli asgjë, nuk e ndryshoi rezultati, por do ta cëntonte procesin zgjedhor dhe integritetin.

Kështu që nuk duhet humbur kohë për gjëra që nuk kanë ndonjë dobi dhe rëndësi. Prandaj në herët e tjera partitë politike e kanë përgjegjësinë kur i dërgojnë atje militantët e tyre komisionarë dhe klientelistë, të cilët edhe mund të bëjnë veprime të tilla, ajo duhet të ndërpritet”, tha Baraliu.

Ndryshe, Gjykata Supreme nesër ka afatin e fundit për të marrë vendimin përfundimtar për 208 ankesat./IndeksOnline/