12:42 / E Enjte, 18 Prill 2019 / indeksADMonline

Probleme me ekranin e palosshëm të Samsung

Samsung njoftoi sot se do të inspektonte disa nga produktet e tij Galaxy Fold, modeli më i ri i shumëpritur i smartfonit të palosshëm, pasi disa gazetarë që kishin marrë përsipër testimin e tyre kishin konstatuar probleme serioze me këto lloj ekranesh.

Disa gazetarë në SHBA kanë marrë para kohe produktin më të fundit të gjigantit koreano-jugor, që do të dalë në treg me çmimin 1 980 dollarë (1 750 euro) dhe kanë konstatuar defekte që në ditët e para të përdorimit.

Galaxy Fold duhet të hidhet në treg javën e ardhshme.

”Vetëm pas dy ditësh, ekrani i Galaxy Fold të cilin e mora për ta testuar ishte totalisht i thyer dhe i papërdorshëm”, shkroi në Twitter Mark Gunman, nga Bloomberg.

Ndërsa Dieter Bohn, nga The Verge, shkroi se “diçka ka ndodhur me ekranin e Galaxy Fold-it tim, pasi ai u thye”.

Samsung Electronics i janë dashur pesë vite për të krijuar Galaxy Fold, që është pjesë e strategjisë së gjigantit koreano-jugor për t’u rritur me anë të produkteve të reja.

Samsung është prodhuesi i parë i smartfonëve në botë. Ai sapo ka paraqitur versionin 5G në smartfonin e tij të fundit, Galaxy S10.

Megjithatë, nuk është hera e parë që firma zhgënjen.

Reputacioni i saj mori një goditje të fortë në vitin 2016-të me tërheqjen e Galaxy Note7 nga tregu në të gjithë botën për shkak të një problemi me bateritë që shpërthenin.