16:26 / E Hënë, 11 Prill 2022 / AR

Problemi me qentë endacak, Rama kërkon ndihmë nga Qeveria dhe komunat tjera

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas pamjeve ku shihet teksa një grua sulmohet nga qentë endacak.

Ai thotë se ky problem nuk mund të zgjidhet vetëm nga Komuna e Prishtinës, andaj kërkon bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve edhe me Qeverinë e Kosovës dhe Komunat e tjera, raporton Indeksonline.

“Me shqetësim pashë sot pamjet, ku një qytetare e Prishtinës sulmohet nga qentë endacakë! Ne jemi të vetëdijshëm për problemin shumë kompleks që kemi para vetes dhe në këtë drejtim kemi ndërmarrë disa veprime, si trajtimi i qenve endacakë përmes procesit KSVL (Kap, Sterilizo, Vaksino, Lësho) dhe hapjes së 18 pikave të reja ushqyese.

Gjithashtu, po punojmë dhe kemi filluar procedurat për ndërtimin e strehimores për qentë. Por, kjo nuk mjafton për të eliminuar në tërësi këtë​ problem. 

Ky problem kompleks nuk mund të zgjidhet vetëm nga Komuna e Prishtinës, andaj kërkojmë bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve edhe me Qeverinë e Kosovës dhe Komunat e tjera”, ka shkruar Rama./Indeksonline/