22:33 / E Shtunë, 09 Dhjetor 2023 / MSH

Procesi i dialogut, Kurti bisedon me politikanë gjermanë

Gjatë qëndrimit në Berlin, në margjina të Kongresit të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati takime me Sekretaren e Përgjithshme të Internacionales Socialiste, Benedicta Lasi si dhe me Kryetarin e SPD-së njëkohësisht deputet i Bundestagut gjerman, Lars Klingbeil.

Së bashku me Sekretaren Lasi, u diskutua mbi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit brenda familjes politike të spektrit të majtë socialdemokrat dhe promovimit të vlerave të përbashkëta të demokracisë, drejtësisë e barazisë për të gjithë. Vetëm të bashkuar mund t’i bëjmë ballë tentativave për devijime ekstreme të politikave, veçanërisht rrezikut që paraqet ekstremi i djathtë, në një kohë kur po afrohen proceset zgjedhore në shumë vende.

Ndërkohë me Kryetarin e SPD-së Klingbeil, kryeministri Kurti bisedoi rreth dinamikës e situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe mbi procesin e dialogut. Kryeministri Kurti tha se rajoni përket brenda Bashkimit Evropian, e Kosova është e përkushtuar në përmbushjen e aspiratës së saj për anëtarësim në BE, ku dhe e ka bërë hapin e parë duke aplikuar për anëtarësim. Në lidhje me dialogun, ai theksoi se Kosova vijon të mbetet konstruktive e aktive në proces, drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe njohjen reciproke.

Pas takimit më herët gjatë ditës me Kancelarin Scholz, e takimet me Sekretaren Lasi dhe kryetarin Klingbeil, agjenda e kryeministrit Kurti në Berlin do të vijojë me takimet me mërgatën tonë në Gjermani.