14:02 / E Mërkurë, 10 Nëntor 2021 / k.v

Programi i Vetëpunësimit për të riatdhesuar vazhdon të jetë i hapur

Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, po vazhdon të ketë të hapur për aplikim Programin e Vetëpunësimit për punëkërkues të riatdhesuar.

Programi synon të mbështesë të papunët e riatdhesuar në hapjen e bizneseve të tyre personale dhe ti bashkohen tregut të punës si ndërmarrës të rinj.

Ndër vite APRK në bashkëpunim me UNDP ka mbështetur shumë ide për biznes të punëkërkuesve në Kosovë të cilët po udhëheqin suksesshëm bizneset e tyre në fusha të ndryshe të tregut të punës.

Ndër ta është edhe Kujtim Riza, berber i cili vitin e kaluar ka përfituar nga Programi i Vetëpunësimit.

Kujtimi tash e sa muaj ka në pronësi biznesin e tij në Mitrovicë. Me një përvojë prej një dekade në këtë profesion, Kujtimi ka arritur që shumë shpejt të shndërrohet në një nga berberët më të kërkuar në Mitrovicë, falë përvojës dhe përkushtimit për punën e tij.

“Ftoj të gjithë të rinjtë që të shfrytëzojnë mundësitë e tilla në tregun e punës si kjo që më është ofruar mua. Jam shumë i lumtur që po arrijë të realizoj ëndrrën time në profesionin e ushtruar prej shumë vitesh”, thotë Kujtimi.

Kujtimi, veçmas realizimit të idesë së tij në biznes, ai ka arritur mandej të krijojë mundësit për praktikë në punë dhe punësim edhe për të rinj të tjerë.

“Duke qenë së është intensifikuar puna, kam angazhuar dy persona, një në praktikë dhe një në punësi të rregullt”.

Programi i Vetëpunësimit për të riatdhesuar vazhdon të jetë i hapur deri më 16 nëntor 2021. Për më shumë informacione rreth Programit dhe mënyrës së aplikimit, vizitoni web faqen https://aprk.rks-gov.net/  ose Zyrat e Punësimit në komunat tuaja.