09:58 / E Hënë, 15 Janar 2018 / indeksADMonline

Projektligji i marrëveshjes së Demarkacionit dërgohet në kryesi të Kuvendit (Video)

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike ka proceduar në kryesi të Kuvendit, projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi pa ndonjë rekomandim.

Megjithëse deputetët e Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës, anëtarë të këtij Komisioni insistuan që ky projektligj t’i shkojë Kuvendit me rekomandimin që mos të votohet kjo marrëveshje, ky propozim nuk kaloi.

Me 5 vota pro dhe 5 kundër, kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani propozoi që kjo marrëveshje të procedohet për në kryesi të Kuvendit pa rekomandime.

Sipas saj, tani i mbetet kryesisë së Kuvendit  të vendos kur të dërgohet për votim në Kuvend.

“Sa i përket procesit në Prokurori, kjo do të ndikonte shumë në votën e deputetëve. Në bazë të vendimit të Prokurorisë do të binte njëri apo tjetri raport. Unë kam shpresa që mund të ketë përgjigje para se të vendoset në Kuvend. Po pajtohem sepse s’ka ndonjë efekt të madh rekomandimi ynë. Unë po propozoj që t’ia përcjellim Kryesisë dhe ajo vendos se kur kjo çështje vendoset në rend të ditës”, ka thënë ajo.

Pro dërgimit me rekomandim kanë votuar Aida Derguti, Dukagjin Gorani, Zafir Berisha, Time Kadrijaj dhe Visar Ymeri./Indeksonline/