11:29 / E Diele, 19 Gusht 2018 / indeksADMonline

Prokurori i dorëhequr Elez Blakaj vjen me një foto nga Amerika (Foto)

Protagonist i javës, ish-prokurori special, Elez Blakaj, i cili dha dorëheqje nga pozita e tij,po qendron në Amerikë. Nga atje ai ka publikuar një fotografi në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa në Kosovë edhe më tutje po vazhdon debati për tërheqjen e njeriut që përgatiti aktakuzën ndaj atyre që dyshohet se frynë listat e veteranëve deri në 60 mijë veta.

Dorëheqja e ish-prokurorit Elez Blakaj shënon kryetemën e kësaj jave. La një letër të dorëheqjes dhe u tërhoq komplet, pa iu përgjgijur asnjë reagimi. Prokurori që po hetonte mashtrimet në listat e veteranëve nuk po gjendej më as në Kosovë.

Blakaj ka shkuar në Amerikë menjëherë pasi dha dorëheqje nga pozita e Prokurorit Special.

Asnjë përgjigje nga protagonisti, ndërsa në profilin e tij në Facebook, Blakaj ka publikuar një fotografi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton Gazeta Express.

Dorëheqja e Blakajt u stërkomentua. Fillimisht u tha se ai u largua pas kërcënimeve që ka marrë gjatë hetimeve të tij për fryerjen e listave të veteranëve.

Para se të jepte dorëheqje, ish-Prokurori kishte lënë të gatshme aktakuzën për Komisionin qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të veteranit.

Aktakuza e përgatitur nga Blakaj, e dorëzuar te kryeprokurori Aleksander Lumezi nuk është ngritur akoma.

 

Për kërcënimet që ka marrë Blakaj, ka folur edhe kryeprokurori Lumezi. Kjo thuhej se është arsyeja pse ish-prokurori la detyrën e tij.

Se Blakaj ishte prej të preferuarve të amerikanëve, tregoi edhe reagimi i Ambasadës Amerikane, menjëherë pas dorëheqjes së tij, shkruan Gazeta Express.

Ambasadori Greg Delawie e konsideronte ditë të kobshme për sistemin e drejtësisë në Kosovë tërheqjen e ish-prokurorit që po hetonte mashtrimet në listat e veteranëve.
Blakaj po ashtu kishte marrë përkrahje nga Qeveria amerikane për studimet e masterit në SHBA.

“Ai kishte përkrahjen e Qeverisë amerikane të kryente studimet për master në fushën e drejtësisë dhe hulumtoi raste të rëndësishme në Kosovë. Kosova duhet të dëshmojë përpjekjen e vet në sistemin e drejtësisë, jo vetëm duke i përkrahur prokurorët, por edhe t’i mbrojë të gjithë ata që duan të shërbejnë në detyrën e tyre”, thuhej në reagimin e ambasadës amerikane.

Aktakuza e prokurorit të dorëhequr është bllokuar në Prokurorinë Speciale. Ende nuk është dërguar në Gjykatë pavarësisht se posa prokurori të nënshkruan një aktakuzë e njëjta duhet të përcillet për në institucionin që ndan drejtësinë.

Në ditën kur u dha lajmi se është dorëhequr prokurori, institucioni i akuzës lëshoi një njoftim se ka vetëm hetime por jo edhe aktakuzë për mashtruesit e statusit të veteranit. Pastaj, u tha se ka draftakuzë, një përkufizim që s’është i njohur në Kodin Penal, dhe se drafti i aktakuzës është vetëm derisa Prokurori e ka të panënshkruar aktakuzën.
Sidoqoftë, dëmi që i bëhet Shtetit, sipas aktakuzës së nënshkruar nga Prokurori i dorëhequr, është afër 40 milionë euro në vit.

Pas kësaj aktakuze pritet që e njëjta të zgjerohet dhe të merren Prokuroritë Themelore. Pritet të dalin para gjyqit edhe veteranët mashtrues, të cilët do të detyrohen t’i kthejnë të gjitha mjetet e vjedhura të Shtetit. Madje, nëse nuk kanë të holla, Shteti mund t’ua konfiskojë edhe pasuri për eurot e shtetit që kanë zhvatur.

Sipas kësaj aktakuze, 38 milionë e 882 mijë e 400 euro për një vit i kushtojnë buxhetit të shtetit 19.060 ”veteranët e rrejshëm”, të cilët i ka identifikuar prokurori special i dorëhequr ditë më parë, Elez Blakaj.