13:50 / E Martë, 28 Gusht 2018 / indeksADMonline

Prokuroria për Azem Sylën: S’e kemi obligim të mbajmë evidencë para shtëpive të të pandehurve

Prokuroria Speciale e Kosovës ka reaguar ndaj raportimit të sotëm në media se Azem Syla u lirua pasi ajo kishte neglizhuar paraqitjen e kërkesës për arrestin.

Në një reagim dërguar mediave, prokuroria ka sqaruar se ajo nuk e ka obligim që të mbaj evidenca kujt i ndërpritet paraburgimi apo kur u ndërrohet arresti shtëpiak, transmeton Indeksonline.

Prokuroria thotë se deri tani nuk ka pranuar ndonjë vendim të gjykatës se Azem Sylës i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak.

Më poshtë reagimi i Prokurorisë:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për informimin e drejtë dhe në kohë të opinionit, aq sa nuk pengon zhvillimin e hetimeve, çka  është obligim edhe i mjeteve të informimit. Mirëpo, për një kohë disa mjete të informimit nuk janë të interesuara që ti përmbahen kodit të  etikës së gazetarisë, por janë të prirura veçanërisht kur është puna e Prokurorisë së Shtetit , ta paraqesin në kontekstin negative.

I tillë është edhe shkrimi i “Kallxo.com”, më titull “Lirimi i Azem Sylës, Prokuroria Speciale neglizhoi paraqitjen e kërkesë për arrestin” i cili shkrim është botuar edhe në disa portale ditore. Nga përmbajta  e shkrimeve rrjedh se Prokuroria Speciale  e neglizhoj paraqitjen e kërkesës për arrestin e Azem Sylës dhe se Kryeprokurori PSRK-së, dhe përfaqësuesi i PSRK-së, i ngarkuar për media Sylë Hoxha, për këtë kanë dëgjuar nga mediat.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin se prokuroria nuk ka për obligim:

Që të mbaj evidencë tek ndërtesat ku mbahen të pandehurit në paraburgim, kur, kujt i ndërpritet paraburgimi, e as para dyerve të shtëpive të të pandehurve kur u ndërrohet  arresti  shtëpiak.

Prokuroria e Speciale ka zyrën e pranimit të shkresave (shkrimoren) ku çdo dokument regjistrohet, i vihet data e pranimit, në rastin konkret kur pranohen shkresat  nga  gjykatat, aktgjykime apo aktvendime tjera, prej kur edhe fillon afati i ankesës.

Deri më tani PSRK-ja, nuk ka pranuar  vendim të gjykatës se të pandehurit Azem Sylës i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak.

Meqenëse  lënda e të pandehurve Azem Syla etj, është në fazën e shqyrtimit gjyqësor, në bazë të  neneve 183 paragrafi 7 dhe 193 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale,  për vazhdimin apo ndërprerjen e arrestit shtëpiak, në rastin konkret vendos trupi gjykues  sipas detyrës zyrtare pasi të dëgjon mendimin e Prokurorit të Shtetit, i cili mendim nuk është kërkuar. Pra, Prokurori nuk është e obliguar që të paraqet kërkesë më shkrim  Gjykatës për vazhdimin e arrestit shtëpiak në këtë fazë të procedurës penale.