20:12 / E Diele, 01 Korrik 2018 / indeksADMonline

Prokuroria po heton rastin e vdekjes së 17 vjeçarit, familjarët nga dhimbja nuk mund të deklarohen

Lutjet u thanë, e njerëzit kanë rënë në gjunjë. Të gjithë sot me fytyrë nga varri i njomë po aq sa i vdekuri që do të pushojë në të. Është 17-vjeçari Seldin Aliu ai të cilit qindra bashkëqytetarë të Lubizhdës së Prizrenit, miq e familjarë, po i japin lamtumirën.

Ai humbi jetën tragjikisht dje në mesditë në vendin e tij të punës. I mituri kishte dy javë që kishte filluar punën në fabrikën e stiroporit në fshatin Mushnikovë “Sat Styro” të komunës së Prizrenit.

Djali i vetëm i familjes Aliu me këtë punë për të cilën thuhet se ishte pajtuar të marrë një pagë prej 250 eurosh, kishte menduar t’i ndihmojë familjes për të dalë nga kushtet e varfra në të cilat ai me dy motrat më të reja dhe prindërit po jetonin. Rreth vdekjes së tij familjarët nuk kanë dashur të flasin nga tronditja. Por akuza në drejtim të Qeverisë neglizhente për këto raste kur punëtorët humbin jetën në vend pune pati Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat.

Tutje ai ka treguar  se sipas informacioneve që deri më tani kanë si sindikatë, punëtori ka nisur të punojë para dhjetë ditësh, eventualisht dy javësh dhe nga përvoja u shpreh i bindur se nuk ka pasur kontratë pune.

“Ndoshta tash është shumë lehtë t’i bëhet një kontratë pune dhe nëse nesër e vizitojmë ata do ta kenë një kontratë, por dyshoj se ka pasur kontratë, sepse në Kosovë dihet si punohet”, tha ai duke shtuar se ligjërisht nuk lejohet puna e rëndë te personat nën moshën 18-vjeç.

Ndërkohë që policia ka bërë të ditur se Aliu kishte rënë në një makinë të përpunimit të stiroporit në ditën tragjike, Azemi thotë se janë në pritje të organeve të policisë që të dalin me vendimin e tyre, ndërkohë që e pranon se punëtorët tjerë ku ndodhi rasti tragjik hezitojnë të flasin.

Lidhur me masat që do të ndërmarrë sindikata pas këtij rasti, Azemi tha se do ta mbështesin anën ligjore që kjo familje të ketë mbështetje financiare.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu ka konfirmuar se janë duke hetuar rastin si aksident në vend pune.

“Është kontaktuar edhe Inspektorati i Punës për të dalë në vendin e ngjarjes dhe për të konstatuar se a janë respektuar ligjet adekuate sa i përket marrëdhënies së punës dhe kushteve të punës në përgjithësi. Viktima është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, ka thënë Kryeziu.

Prokurori po ashtu tha se policia nën mbikëqyrjen e Prokurorisë, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të konstatuar gjendjen faktike në rastin konkret, ndërkohë që nuk ka persona të ndaluar apo të dyshuar konkret.

“Sa i përket pyetjes lidhur me pronarin e fabrikës ku ka humbur jetën 17- vjeçari, mund t’ju informoj se nga informatat që ka Prokuroria, i njëjti gjendet në botën e jashtme. Po ua rikujtoj që po flasim për fazën fillestare të hetimeve dhe varësisht nga provat e siguruara nga Policia dhe nga raporti i Inspektoratit të Punës, Prokuroria do të veprojë tutje me qëllim te zbulimit të ndonjë vepre penale dhe të ndonjë kryesi eventual, varësisht nga rezultatet dhe provat e siguruara. Për këtë e presim raportin me gjetjet nga Inspektorati i punës, se ligji i punës lejon të punësohet nga 15 vjeç po janë disa kritere për punë më të lehta aty të cilët duhet t’i konstatoj Inspektorati i Punës”, tha ai.

I pyetur se çfarë masa do të merren në rast se Inspektorati konstaton shkeljet e përmendura Kryeziu ka thënë se këto masa janë të parapara me Kodin Penal të Kosovës. “Në ato raste kur puna nuk paraqet rrezik për shëndetin apo zhvillimin e tyre, por  në këtë pjesë nuk mund me u lëshuar unë në këtë fazë. Nëse ndodh kjo, atëherë prokurori i çështjes e vlerëson se për cilën vepër penale nga Kapitulli XXIX i veprave penale kundër sigurisë së përgjithshme të njerëzve dhe pasurisë, bëhet fjalë. Tani për tani është herët të konstatohet diçka e tillë”, ka thënë ai.

Menaxherët e kompanisë Sat Styro,  nuk janë deklaruar dhe për më tepër nuk kanë lejuar ekipin as të xhirojnë para fabrikës ku Aliu humbi jetën.