23:07 / E Enjte, 09 Gusht 2018 / indeksADMonline

Prokuroria së shpejti me rezultate për vrasjen në Fushë Kosovë

Prokuroria Themelore në Prishtinë po vazhdon me intesitet të lartë të zhvillojë hetimet lidhur me rastin e vrasjes së Behram Ibishit, 54 vjeç, mëngjesin e së dielës në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë.

Zëvendës Kryeprokurori i Themelores, Ibrahim Berisha ka thënë për Indeksonline se vrasësi ende nuk është identifikuar. Sipas tij, po punohet në këtë drejtim.

“Sa i përket rastit për vrasjen në Fushë Kosovë, shumë shpejt pritet të ketë rezultate”, ka thënë prokurori i shtetit Berisha.

Më tej, numri dy i Themelores ka shtuar se për këtë rast ka shumë vështirësi, pasi siç thotë ai, ka ndodhë në rrethana të paqarta.

Ndërkaq, dihet se në vendin e ngjarjes ku ka ndodhë vrasja, nuk ka askund kamera. Në vend të ngjarjes është gjetur edhe një gëzhojë e armës me të cilën dyshohet se është vrarë Ibishi.

Ndryshe, i ndjeri që nga paslufta ka punuar si roje në kompaninë private “Lesna”. Ndërsa, familjarët e tij thonë se dyshimet i hedhin te disa persona që si plan e kishin të kryenin vjedhjen.

Kujtojmë, se 54 vjeçari pas vetës ka lënë bashkëshorten dhe 5 fëmijë, 4 vajza dhe një djalë./Indeksonline/