Prokuroria së shpejti ngre aktakuzë ndaj deputetit Shkumbin Demaliaj
Gjykata e Apelit ka liruar pak më herët deputetin nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj, nga masa e arrestit shtëpiak.
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se Prokuroria Themelore e Prishtinës shumë shpejt pritet të ngritë aktakuzë ndaj të pandehurit, Shkumbin Demaliaj për veprën penale “Kanosje” sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, lirimin e Demaliajt e konfirmoi për Indeksonline, avokati i tij, Arianit Koci.
Sipas tij, klienti i tij tani nuk ka asnjë masë tjetër të ndalimit.
Ndryshe, Demaliaj fillimisht ishte mbajtur në paraburgim pas deklarimeve të tij të cilat ishin konsideruar si kërcënim në drejtim të ish-prokurorit Elez Blakaj.
Blakaj, ishte prokuror special i cili kishte hetuar rastin për veteranët./Indeksonline/