17:20 / E Mërkurë, 04 Tetor 2017 / indeksADMonline

Prokuroria Speciale po heton një deputet dhe tre zyrtarë komunal

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili dikur ka mbajtur postin e drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliu, po hetohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Bashkë më Aliun po hetohen edhe tre zyrtarë të tjerë në komunën e Prishtinës.

Aliu po dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në kohën sa ishte drejtor i Urbanizmit në Prishtinë, për një leje ndërtimi që kishte dhënë në muajin mars të këtij viti.

Bashkë më Aliun po hetohen edhe pesë persona të tjerë, zyrtarë në komunën e Prishtinës. Nora Kelmendi, drejtoreshë e Kadastrës, Sazane Raskova, zyrtare në Drejtorinë e Urbanizimit të Komunës së Prishtinës  dhe Zejnullah Rexhepi, zyrtar i lartë për planifikim ne Drejtorinë e Urbanizmit.

Kështu ka bërë me dije, për Express, kryeprokurori në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Ymer Beka.

“Hetimet lidhur me këtë çështje po i zhvillon Prokuroria Speciale. Sa i përket ndërtimeve tek ne është e regjistruar një lëndë”, ka thënë Beka.

Tutje ai ka sqaruar se për rastin, kallëzim penal ka bërë policia e Kosovës. Beka tregon se cilët janë zyrtarët e tjerë që po hetohen për këtë rast.

“Kallëzimin penal e ka ushtruar Policia e Kosovës. Është në zhvillim hetimor. Tek ne është sjellë me 01.03.2017. Në këtë lëndë janë të përfshirë zyrtarët e Komunës, Liburni Aliu, Sazane Raskova, Nora Kelmendi dhe Zejnullah Rexhepi”, ka deklaruar Beka.