14:36 / E Martë, 19 Janar 2021 / OSH

Prokuroria tregon detatje nga vrasja e 15 vjeçarit në Prizren, u godit me thikë ne pjesën e majtë të gjoksit

Prokuroria Themelore në Prizren, dje, rreth orës 10:00 ishte njoftuar nga Policia e Kosovës, se në rr. “Ylber Fanaj” në Prizren, kishte ndodhur një përleshje fizike midis disa të rinjve, të mitur, ku ishin përdorur edhe mjetet e prehta.

Në bazë të informacioneve një nga sulmuesit e kishte goditur viktimën me një mjet të prehtë përkatësisht me thikë në pjesën e majtë të gjoksit, e cila ka rezultuar me pasoja fatale për viktimën.

Prokurori kujdestar së bashku me njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë siguruar provat materiale.

Nga informacionet fillestare rezulton se në rastin konkret të miturit e përfshirë në përleshje kanë poseduar një armë zjarri dhe dy thika.

Momentalisht, prokurori kujdestar së bashku me policinë janë duke bërë hetime, për të zbuluar motivet e ngjarjes dhe për ta zbardhur rastin në tërësi.

Trupi i pajetë i të miturit, me urdhër të prokurorit, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që ndaj të miturit që ka shkaktuar vrasjen të caktohet masa e paraburgimit, ndërsa dy të miturit e tjerë, që kanë marrë pjesë në përleshje, janë liruar në procedurë të rregullt.