75 Mall Live Search
14:01 / E Premte, 16 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Pronarët e autobusëve në hall me kombi-busët ilegal

Pronari i një operatori transportues të udhëtarëve që vepron në relacionin Mitrovicë-Prishtinë, thotë se ai dhe vozitës të tjerë të autobusëve të kësaj linje, janë në hall me kombi-busët ilegal. Ai thotë se në këtë relacion janë më shumë se 150 kombi të cilët veprojnë ilegalisht.

Në kushte anonimiteti ai për Indeksonline ka treguar se si është dënuar nga inspektorati i Ministrisë së Infrastrukturës pa e ditur paraprakisht, por vetëm është njoftuar me zarf.

Ai thotë se edhe pse është i pajisur me dokumente që ia lejojnë vozitjen në këtë linjë, është dënuar nga Ministria me gjobë 100 euro vetëm se nuk janë futur autobusët në stacionin kryesor.

“Jam një operator që operoj në relacionin Mitrovicë-Vushtrri-Prishtinë dhe jemi në gjendje të rëndë për shkak të konkurrencës ilegale të kombibusëve, ku operojnë më shumë se 150 të tillë. Si shoqatë e transportuesve, rajoni i Mitrovicës, kemi marrë vendim që nisjet nga Prishtina t’i bëjmë jashtë stacionit të autobusëve për shkak se pas vënies së tarifës prej 10 centëve për udhëtar, të gjithë po qëndrojnë jashtë stacionit aty ku gjenden edhe kombit”, flet ai për redaksinë.

Mirëpo, thotë se gjendjen ua kanë rënduar dënimet e Ministrisë.

“Gjendjen na e kanë rënduar dënimet e Ministrisë së Infrastrukturës ku po na dënojnë me gjoba nga 100 euro dhe nuk po na pyesin për hallet që kemi, por vetëm na i dërgojnë dënimet. I shkruajnë në zyrat e tyre e jo me dalë e me i kontrollua dokumentet si e do rendi dhe ligji, ndërsa kombit që janë pa asnjë letër që nuk kanë të drejtë të punojnë, hiq nuk i ngucin, përkundrazi i mbrojnë”, ka rrëfyer ai për Indeksonline.

Më poshtë gjeni edhe gjobën e shqiptuar nga inspektorati./Indeksonline/