21:18 / E Hënë, 29 Maj 2023 / C E

Provokimi i Djokovic, Federata e Tenisit bën ankesë ndaj serbit dhe turneut “Roland Garos”

Tenisti serb, Novak Gjokoviq ka dhënë sërish një mesazh kundër Kosovës, pas duelit në Grand Slamin e “French Open”. Ai ka shkruar në kamerë pas ndeshjes: “Kosova është zemra e Serbisë. Stop dhunës”.

Federata e Tenisit e Kosovës ka bërë ankesë në Federatën Ndërkombëtare të Tenisit si dhe në organizatorin e garës, Roland Garos.

Ata kanë kërkuar që të dënohet sjellja nacionaliste dhe shoviniste e tenistit serb.

Ky është njoftimi i Federatës së Tenisit të Kosovës:

Djokovic provokon sërish me përkrahje nacionaliste!

Tenisti sërb Novak Djokovic vazhdon me sjelljet e tij nacionaliste dhe shoviniste përmes provokimeve ndaj shtetit të Kosovës.

Ai sot në “Roland Garros” pas përfundimit të ndeshjes kundër A. Kovacevic në kamerën ku shënohen mesazhe nga fituesi i ndeshjes, Djokovic shënoi: “Kosova është zemra e Serbisë. Stop dhunës”.

Ndaj një sjelljeje të tillë, që po përsëritet shumë shpesh, nuk po mirret asnjë masë dënuese, e kjo nuk mund të justifikohet.

Federata e Tenisit të Kosovës do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të vlerave dhe dinjitetit të vendit dhe popullit të tij, por në të njëjtën kohë në mbrojtje të vlerave që tenisi si sport përcjell në përgjithësi, që janë bashkimi mes njerëzve, shpresa, gëzimi dhe pasioni për gjithëpërfshirje.

Federata e Tenisit do të kërkoj dënimin e Djokovic nga ana e International Tennis Federation ATP Tour dhe ROLAND-GARROS si organizator.

 /IndeksOnline/