17:21 / E Martë, 18 Shtator 2018 / indeksADMonline

PSD për protestën e thirrur nga VV: Nuk mund të shkojmë prapa organizimeve partiake ku s’jemi ftuar

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka konfirmuar se me datën 29 shtator me fillim nga ora 14:00 do të mbahet protestë në Prishtinë, kundër presidentit Hashim Thaçi.

Lidhur me këtë protestë nga Partia Socialdemokrate kanë bërë të ditur se nuk kanë marrë ftesë për organizim ose pjesëmarrje të ndonjë proteste nga ndonjë subjekt politik.

“Çështja e dialogut meriton një trajtim më serioz nga opozita.Përveç pajtimit për qëndrimet për çështje të caktuara, veçanërisht për dialogun, duhet të kemi pajtueshmëri edhe për metodat e kundërshtimit. Nuk është e drejtë, madje është kundërproduktive që të vendosen subjektet politike para aktit të kryer. Kjo është për t’ua mohuar sujektivitetin. Është tepër e dëmshme si për bashkëpunimin, ashtu edhe për kundërshtimin, nëse këto synohen të bëhen përmes desubjektivizimit e përçmimit të tjetrit bashkëpunues”, thuhet në një komunikatë për media nga PSD, transmeton Indeksonline.

Gjithashtu është shtuar se PSD nuk mund të shkojë prapa organizimeve partiake, në të cilat nuk janë të ftuar dhe rrjedhimisht nuk janë njoftuar me qëllimin dhe synimin e atij organizimi.

“Avanturat e Hashim Thaçit mund të ndalen vetëm bashkë, me opozitë të bashkuar, e në bashkërendim me strukturat e gjera shoqërore dhe me qytetarët. E kundërta i konvenon vetëm projektit të tij”, përfundohet në komunikatë./Indeksonline/