16:58 / E Premte, 21 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

PSD përkrah projekt-buxhetin e Qeverisë, por i bën pesë kërkesa Haradinajt

Në seancën e Kuvendit të Kosovës është votuar në parim buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partia Socialdemokrate, Dardan Sejdiu ka kërkuar që në asnjë mënyrë funksionaliteti i Kosovës të mos mbetet peng i instrumenteve të shtetit serb, shkruan Indeksonline.

Sipas tij, në asnjë rrethanë nuk do të pajtohen që buxheti i Kosovës, pagat dhe investimet të mbesin peng nga Serbia.

Madje, Partia Socialdemokrate ka renditur edhe pesë kërkesat e saj, duke kërkuar që për plotësimin e tyre të zotohet edhe vet Kryeministri i Kosovës.

Këto pesë kërkesa të PDS-së kanë të bëjnë me Ligjin për Pagat, Dialogun me Serbinë, Ligjin për Qeverinë, funksionalizimi i plotë i Ministrisë së Bujqësisë dhe të reduktohen skemat sociale në buxhetin e Kosovës.

Më poshtë gjeni fjalim e plotë të Sejdiut:

Partia Socialdemokrate e ka shqyrtuar me kujdes projekt-ligjin për buxhet dhe ka mospajtime në mënyrën se si janë të definuara prioritetet dhe mungesën e një qasje zhvillimore! Krejt këto i kemi shpërfaqur edhe në diskutimet tona gjatë shqyrtimit të projekt-ligjit për ndarjet buxhetore!
Në situatën në të cilën është Kosova dhe ku pritet që viti i ardhshëm të jetë vit ku besojmë që mund të arrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë, si dhe duke pasur parasysh që tashmë kemi delegacion shtetëror për këtë çështje, konsiderojmë që funksionaliteti i Republikës së Kosovës në këtë periudhë kohore nuk guxon në asnjë rrethanë të mbetet peng i instrumenteve të pushtetit serb, përkatësisht instrumentit të saj në Kosovë, Listës Serbe.

E kemi krejt të qartë që përgjegjësinë politike për mos-funksionimin normal të Qeverisë së Kosovës e ka Kryeministri dhe qeveria e cila e varri vetën, që nga themelimi nga ky instrument politik i Serbisë, pra Listës Serbe!
Nuk pajtohemi në asnjë rethanë që buxheti i Kosovës, pagat, investimet dhe orientimet e tjera zhvillimore, sado problematike që janë, të ndalen apo të pengohen nga Serbia, edhe sot 20 vjet pas çlirimit të Kosovës.
Në mënyrë që në parim ta përkrahim projekt-buxhetin, ne si PSD kemi 5 kërkesa konkrete për të cilat presim zotim publik nga Kryeministri i Kosovës, para votës për këtë projekt-buxhet:

  • I nderuari Kryeministër, Ligji për Paga të miratohet në lexim të dytë, së bashku me leximin e dytë të projekt-buxhetit, pra në të njejtën seancë!
  • I nderuari Kryeministër, Ligji për Dialogun të miratohet në Qeveri dhe të dërgohet në Kuvend jo më larg se ditën e hënë, pra me datën 24/12/2018.
  • I nderuari Kryeministër, Ligji për Qeverinë të sillet në Kuvend për miratim, jo më larg se 3 muaj nga sot! Ky ligj duhet ta saktësoj në mënyrë pa-ekuivoke, përveç tjerash cështjen e numrit të zv-ministrave për një ministri. Kërkesa konkrete jonë është që nuk mund të ketë më shumë se 2 zv. ministra për Ministri.
  • I nderuari Kryeministër, kërkojmë nga ju funksionalizimin e plotë të Ministrisë së Bujqësisë! Ta keni parasysh që importi kryesor janë gjërat ushqimore, industria e përpunimit të ushqimit, si dhe që fermat e Kosovës kanë nevojë për strategji dhe udhëheqje që ndërton kapacitete për zv. te importeve, e pra edhe për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, e vende të reja të punës! Rrjedhimisht, kërkojmë lirimin nga detyra e Ministrit të Bujqësisë i cili nuk po e ushtron këtë detyrë, si dhe emërimin e një ministri që e funksionalizon Ministrinë e Bujqësisë,
  • I nderuari Kryeministër, projekt-buxheti i Republikës është tepër shumë i ngarkuar me skema sociale e benefite pensionale. Janë plotë 465 milion euro në te për skema të tilla! Si PSD, mbetemi të bindur se mund të reduktohet kjo ngarkesë buxhetore!
    Disa herë në këtë kuvend kam shprehur rrugën përpara për t’u siguruar që e kemi një sistem të mirëfilltë pensional, me ç’rast ta bëjmë një kod pensional, ku definohet edhe kontributi i secilit prej nesh, por edhe benefitet pensionale, që duhet gëzuar nga ata që meritojnë pensione, e në të njejtën kohë të pastrohen listat nga keqpërdoruesit e mundshëm! Pra, kërkesa jonë e fundit është që të themelohet një Komision i vecantë për draftimin e kodit pensional dhe reformës së plotë! Ky komision duhet të udhëhiqet nga PSD!