11:04 / E Hënë, 19 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Pse Kosova nuk ka politikanë të suksesshëm sikur sportistët?

Kosova si një vend relativisht i vogël dhe i ri në Europë, që nga shpallja e Pavarësisë së saj më 17 shkurt 2008 e gjer më sot, suksesin më të madh e ka arritur në sport. Kjo nuk ka ndodhur vetëm për faktin e njohjes së saj në organizata ndërkombëtare sportive. Por, sporti e ka ruajtur një veçanti të suksesit edhe kur është në pyetje puna ekipore e edhe kur është në pyetje gara individuale e sportistëve.

Në të vërtetë parashikimet e rezultateve të fundit sportive, qoftë në disiplinat sportive të basketbollit, futbollit, xhudos, boksit, hendbollit etj., janë shenja të qarta se sporti e ka lënë prapa, shumë prapa, politikën si substancë e bërë për ta avancuar shtetin më të ri të Europës dhe për të cilën punë njerëzit e politikës paguhen nga populli.

Shembulli i sportit si sukses duhet t’i shërbejë politikës për të mësuar shumëçka dhe në shumë drejtime. Sepse, mundësitë e sportit, politika i ka pasur edhe më të mëdha, për t’i vënë theksimet e sukseseve të veta jo vetëm brenda republikës, por edhe në rrafshin mbarëkombëtar, fqinjësor, rajonal, ballkanik e europian njëkohësisht.

Kosova sot, përjashto sportin, ka mbetur një hapësirë e izoluar brenda së cilës jeta dhe përditshmëria është ngarkuar nga zymtësia e politikës së korruptuar e të kriminalizuar, e cila është duke i bërë presion popullatës që ta braktisë vendin, pa çka se një gjë e tillë nuk mund të argumentohet pro forma formalisht.

Ikjet nga Kosova nuk janë vetëm ikje materiale, sociale e ekonomike. Nga Kosova sot ikin edhe njerëzit që nuk qëndrojnë keq ekonomikisht.

E keqja e politikës nuk ndërlidhet vetëm me krim e korrupsion, nepotizëm e politika të privilegjuara partiake. Më në fund politikat sociale janë bërë aq të pështira se duket se të gjithë banorët e vendit do t’i nënshtrohen politikave të caktuara për të përfituar mbështetje sociale. Kurrë Kosova nuk ka pasur ligje e politika sociale kaq diskriminuese në raport me krijimin e vendeve të punës, në raport me perspektivën e njerëzve për ta jetuar jetën e tyre duke punuar e jo duke marrë lëmoshë sociale.

Kosova e vogël eksporton njerëz në cilësinë e mallit. Ky është fundi i saj më i rrezikshëm sepse ajo po mbetet e plakur dhe po mbetet me politika sociale të lëmoshës.

Vetëm çështja e veteranëve është një realitet i dhimbshëm që po e dëshmon se liria në Kosovë ka karakter komercial e klientelist. E kjo politikë e shndërron me dashje apo pa të edhe luftën e lirisë së Kosovës në një misionin mercenarizmi. A ka kush ta ndalë këtë trend negativ? Apo Kosova nuk ka ende vajza e djem që do të dinë të krijojnë politika të suksesshme sikurse ato që po lindin prej sportit në Republikën e Kosovës për çdo ditë?/Indeksonline/