11:20 / E Mërkurë, 02 Dhjetor 2020 / OSH

Pse KQZ e lejoi Etem Arifi të kandidojë për deputet?

Kryetarja e Këshillit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, është arsyetuar lidhur me certifikimin e deputetit nga radhët e komunitetit pakicë, Etem Arifit, në seancën publike që po mbahet nga Gjykata Kushtetuese.

Daka, pasi kryetari i Legjislacionit të Kuvendit, Shkëmb Manaj, potencoi se KQZ-ja nuk i ka nxjerr ndonjë problem lidhur me deputetin Arifi, ka sqaruar ligjërisht procedurat e certifikimit të deputetëve.

“Subjektet politike që kanë aplikuar duhet dorëzuar nga kryesuesi i partisë formularin e certifikimit të kandidatit, si edhe atë financiar. Secili e konfirmon që ai i përmbush të gjitha kriteret për ta mbajtur një post, që nuk ia ndërpret veprimtarinë atij më tej. Zyra për certifikim, më 6 shtator 2019 ka marrë kërkesën e partisë së ashkalinjve për integrim, ku kandidat për deputet ishte Etem Arifi. Z. Arifi ka ofruar një formular, ku kandidati deklaron se kandidatura e tij është në përputhje të plotë me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, ka thënë ajo.

Daka, ka ngritur paralele midis votës së Arifit dhe situatës së heqjes së certifikimit të 87 kandidatëve dhe këshilltarëv komunalë.

“KQZ-ja ka marrë vendim të decertifikoheshin 87 kandidatë dhe këshilltarë komunalë. Pjesë e këtij vendimi ishte edhe Zafir Berisha. Vendimi i KQZ-së ka ardhur si rezultat se këta persona kanë pasur vepra penale. Megjithatë, Gjykata Supreme, ka vendosur ta urdhërojë KQZ-në që t’i kthehen licencat kandidatëve në fjalë, për shkak se një veprim i tillë bie në ndesh me Kushtetutën”, ka thënë Daka.