13:33 / E Hënë, 04 Prill 2022 / Medina Shala

Pse nuk e ‘hangër foren’ Vuçiqi në veri të Kosovës

Shkruan: Faton Abdullahu

Serbët e Kosovës nuk protestuan edhe pse atyre nuk ju lejua që të organizohen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë. As Vuçiq nuk e bëri të madhe këtë punë sa pritej nga pakënaqësitë e tij fillestare. Nuk pati as ndonjë ekces në këtë drejtim në veri të vendit për ta tërhequr vëmendjen se, ja po shkelen të drejtat e serbëve në Kosovë. Bile as që pati ndonjë akuzë të madhe propagandistike nga Beogradi zyrtar.

Pse ky reagim kaq i vakët, apo thënë më saktë pse ky apstenim i Serbisë që për këtë çështje të mos reagoi më ashpër. Çfarë ka ndryshuar? Si ka mundësi ? Është pajtuar Serbia me këtë ‘realitet të ri’ në Kosovë dhe kjo është uvertyrë e dorëzimit të saj gradual? A përnjëmend po i vije era shtet krejt kësaj pune dhe Qeveria Kurti ja boni bajat edhe Beogradit zyrtarë edhe Serbisë duke ua përplasur ftyrës ‘ska zgjedhje pa kushtet e Qeverisë së Kosovës dhe pikë’ ?

Si ka mundësi edhe pas letrave dhe pakënaqësive që shprehën për moslejimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve BE-ja, bile edhe QUINT-i me një letër shumë të ashpër, prap Kurti tha JO dhe JO. Prej nga e ka këtë mbështetje Kurti? A i thanë amerikanët mos u dorëzo rezisto mos i lejo zgjedhjet? Shumë pak e besueshme. Në këtë drejtim, Kosova kurrë nuk i ka pasur në nivel më të ulët raportet dhe koordinimet me SHBA-t?

A është ndoshta Kurti i tillë sepse nuk vëlla ai nuk mund të shantazhohet ? Kjo është po ashtu pak e besueshme, sepse po të besohet se është kështu, atëherë duhet besuar se SHBA-ja shantazhon liderët kosovarë në dëm të Kosovës e në të mirë të Serbisë dhe vetes së tyre. Një pjesë e Qeverisë aktuale dhe autoparlantëve të tyre, ka kohë që besojnë dhe e kanë thënë në forma të ndryshme se, kjo, pra shantazhi, ka qenë mjet për të ndryshuar politika në Kosovë edhe në disa raste të tjera.

Asnjëra nga këto shpjegime dhe arsyetime nuk qëndron, e më së paku ajo se tani Kosovës po i vije era shtet. E vërteta është se Vuçiqi nuk ra në grackë për fat të keq. Si shpjegohet kjo?

Sikur Vuçiq, përkatësisht Beogradi zyrtarë, të reagonte shumë më ashpër se që reagoj për mos mbajtjen e zgjedhjeve ashtui si kërkoj Serbia, sikur ai t’i nxiste serbët e Kosovës të shfaqnin pakënaqësinë me protesta, sikur të sajohej ndonjë ekces në veri dhe Serbia të afronte ushtrinë e saj apo policinë në kufijtë

verior të Kosovës, çfarë do të ndodhte ? Sot në këto rrethana, bota perëndimore dhe jo vetëm ajo, sipas të gjitha gjasave do të reagonte më ashpër se zakonisht për të tilla veprime të Serbisë. Vuçiq dhe Beogradi zyrtarë për të gjitha këto do të përceptoheshin dhe akuzoheshin, sidomos nga bota perëndimore, se janë në valë të njëjta dhe të koordinuar me politikat e Putinit dhe se putinizmi po forcohet në Serbi. Këto reagime dhe vlerësime do të ishin me shumë dyshime mbi politikat e Vuçiqit i cili në këtë drejtim do të dëmtohej shumë para zgjedhjeve në Serbi, sidomos para pjesës serbe e cila insiston që Beogradi të vazhdojë ‘politika në dy karrika’.

Përmbledhtazi, Vuçiq e ka ditur se çfardo reagimi në veri të Kosovës në këto rrethana, bota perëndomore do të kishte shumë dyshime të bazuara për të vlerësuar se atë që po bën Putin në Ukrainë të njëjtën po fillon ta bëj Serbia në veri të Kosovës. Vuçiq nuk e ‘hangër foren’. Ai për mos mbajtjen e zgjedhjeve reagoi pak dhe vakët sa për fushatë të tij. Por jo siç u prit. Kurti e dinte këtë kalkulim të Beogradit zyrtar dhe veproi ashtu sikundër veproj.

Qeveria Kurti, po t’i shfrytëzonte rrethanat e reja gjeopolitike të krijuara nga sulmi i Federatës Ruse në Ukrainë, do të mund të bënte shumë gjëra në veri të vendit, por këtë nuk e bëri sa e si duhet.

Për fat kjo ishte dhe vazhdon të jetë mundësi ideale që Qeveria Kurti duke e shfrytëzuar këtë rrethanë, e cila e detyronte Vuçiqin të ishte hezitues, ta shtrij pushtetin e institucioneve tona në veri më shumë se kurrë më parë. Por këtë Kurti nuk e bëri dhe nuk mud ta bëjë më shumë. Që kjo të ndodh Qeveria aktuale duhet t’i ketë marrëdhënjet ekstra të mira dhe vazhdimisht të koordinuara më SHBA-t. Prandaj kjo tani nuk mund të ndodh.