18:30 / E Enjte, 15 Shtator 2022 / shkelqim osmanaj

Psikologjia e fëmijëve: Pse robotët mund të zbulojnë më mirë se çfarë nuk shkon

Robotët mund të jenë efektivë në zbulimin e problemeve të mirëqenies mendore tek fëmijët, ka zbuluar një studim i ri.

Duke përdorur një robot me madhësinë e një fëmije në një studim që përfshiu 28 fëmijë, studiuesit zbuluan se roboti mund të jetë më i mirë se testimi i prindërve ose vetë-raportimi në zbulimin e problemeve.

Ekspertët e robotëve, shkencëtarët kompjuterikë dhe psikiatër nga Universiteti i Cambridge-it studiuan se si fëmijët iu përgjigjën robotit kur ai bëri një sërë pyetjesh standarde psikologjike. Në disa raste, fëmijët ndanë informacione me robotin që nuk i ndanë gjatë metodës standarde.

Studimi i Universitetit të Cambridge-it mendohet të jetë i pari që studion se si robotët mund të ndihmojnë në vlerësimin e mirëqenies mendore të fëmijëve.

Fëmijët të gjithë thanë se u pëlqente bashkëveprimi me robotin dhe disa ndanë me të informacione që nuk i kishin thënë më parë. Studiues të tjerë kanë zbuluar se fëmijët kanë më shumë gjasa të zbulojnë informacione private – si për shembull ngacmimet – ndaj një roboti sesa një të rrituri. Për shkak të kësaj, studiuesit thonë se robotët mund të jenë një mjet i dobishëm për vlerësimin psikologjik të fëmijëve.

Megjithatë, ata theksojnë se nuk duhet të jenë zëvendësues të njerëzve. “Ne nuk kemi asnjë qëllim për të zëvendësuar psikologët ose profesionistët e tjerë të shëndetit mendor me robotë, pasi ekspertiza e tyre tejkalon çdo gjë që mund të bëjë një robot,” tha bashkëautori i studimit, Dr. Micol Spitale.

“Sidoqoftë, puna jonë sugjeron që robotët mund të jenë një mjet i dobishëm për t’i ndihmuar fëmijët të hapen dhe të ndajnë gjëra që mund të mos ndihen rehat t’i ndajnë në fillim me të rriturit.”