17:53 / E Premte, 18 Dhjetor 2020 / A. M.

Psikopatët armë e kanë sharjen dhe etiketimin

Fahri Musliu

Disa patriota  kosovarë, dhe shqiptar në përgjithësi, në vend dhe diasporë, në mungesë të argumenteve për ndonjë temë, patriotizmin e tyre folklorik po e shprehin me fjalë fyese rrugaqërie, etiketime, banalizma, primitivizëm. 

Ata sillen si zagarët, të cilët në pamundësi që ta sulmojë më të fortin nga ai, lehin pa pushuar, duke nxjerr nga goja fjalë kundërmuese, si nga xhirizi, dhe shajnë nënën e anëtar tjerë të familjes. Ata nuk shohin përtej hundëve të veta, e kanë trurin e ndryshkur dhe akoma janë në fazën parapolitike. Ata, në mungesë të kulturës së dialogut të argumentuar, si armë e përdorin sharjen e fyerjen. Sepse aq e kanë edhe intelektin, edukatën. Thjeshtë janë të KOMPLEKSUAR e psikopat dhe kështu e mbulojnë mungesën e identitetit personal.

Me këto veprime ata dëshmojnë se nuk i çmojnë as nënat (të shenjta) as familjarët e afërt, dhe këtë edukatë e kanë marrë në familje ky sharjet e tilla janë si përshëndetje. Ata i kanë harruar ose nuk i dinë disa kode morale kombëtare se sharjet e tilla, janë të sanksionuara me këto kode. Por në fakt ata kështu tregojnë trimëri prej burraveci dhe defekt mendor, të cilëve mund tu ndihmojë veç specialisti përkatës. Nuk di nëse këta që jetojnë në Evropë, SHBA a gjetkë, kanë dëgjuar sharje të tilla aty ku jetojnë. Dhe nga kush e kanë mësuar këtë edukatë mjerane.

Duhet ta kuptojnë se trimëria dhe patriotizmi nuk tregohen me fyerje, arrogancë e primitivizëm, por me edukatë, moral, dije. Fatkeqësisht kjo gjuhë është instaluar edhe në politikën kosovare e gjithë shqiptare, e veçmas në parlamentç0.

Dhe nëse dikush në postimin e vet i ndalon  komentet fyerëse dhe etiketuese, si dhe publikimin nëpër portale kjo duhet të respektohet. Personat e tillë nuk përmirësohet dhe i vetmi ilaç për ta  këtu në fb quhet BLLOK.