08:59 / E Premte, 09 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Pszczel: NATO s’është kundër ushtrisë së Kosovës, por të bëhet në përputhje me Kushtetutën

Duke folur në një tubim në Beograd të enjten, një përfaqësues i NATO-s ka deklaruar  se aleanca nuk është kundër formimit të ushtrisë së  Kosovës.

Robert Pszczel, zyrtar i lartë për Rusinë dhe Ballkanin Perëndimor nga Departamenti i Diplomacisë Publike të NATO-s,  tha se kjo duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas tij,  transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës është e drejtë e autoriteteve të Kosovës “, por që çdo zhvillim duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe në konsultim me bashkësinë ndërkombëtare”.

“Nëse ne do ta heqim atë drejtë prej tyre, atëherë ne e dimë se çfarë është situata dhe çfarë do të thotë kjo”, tha Pszczel.

Kur bëhet fjalë  për praninë e KFOR-it në Kosovë, sipas Pszczel, nuk ka plane për të zvogëluar ose ndryshuar asgjë, ndërkohë që prania e tyre varet nga situata e sigurisë. Pozicioni i NATO-s është të vazhdojë kërkimet për një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët, shtoi ai.

Ndihmësi i Ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë,  Branimir Filipoviq tha se qëndrimi i Serbisë është që transformimi i Forcës së  Sigurisë së Kosovës në ushtri po bëhet kundër rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, transmeton Klan Kosova.

“Nuk mund të ketë dy ushtri në një fushë, NATO ka pikëpamjen se transformimi është i mundur nëpërmjet kornizës kushtetuese dhe ne kemi të përbashkët se jemi kundër lëvizjeve të njëanshme. Pikërisht lëvizjet e tilla nga Prishtina përfaqësojnë problemet që janë më të mëdhatë në këtë zonë”, theksoi ai.

Temat: