14:29 / E Hënë, 06 Nëntor 2023 / L K

Publikohet libri i ri “E drejta kushtetuese”, nga tre autorë

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani , ka publikuar librin e ri në bashkëpunim me tre autorë “E drejta kushtetuese”.

Hasani së bashku më bashkautorët, Përparim Gruda dhe Zahir Çerkini publikuan librin më 1000 faqe dhe në 5 gjuhë.

Postimi i plotë:

Të dashur miq

Kam kënaqësinë t’ia bëj të ditur lexuesit se sot, pas një pune intensive pesëvjeçare, doli nga shtypi libri ynë i ri “E drejta kushtetuese”, me bashkautorë kolegët e mi Përparim Gruda e Zahir Çerkini, profesorë të nderuar nga Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.  Libri i ka afër 1000 faqe, me një literaturë në pesë gjuhë të tjera, origjinale dhe të prejardhur, që është përdorur në hartimin e tij dhe jepet në 34 faqet e librit para përfundimit. Në fund gjendet edhe indeksi i lëndës, që i mundëson lexuesit lundrim me zigzage nëpër tekst si dhe të gjejë me saktësi pjesët që mund të jenë me interes të menjëhershëm për të. 

Nuk kemi asnjë dyshim se libri përfaqëson një prodhim me rëndësi për mendimin juridik ndër ne dhe do të shërbejë si bazë e mirë për lërim edhe më të thellë në temat që ne i kemi trajtuar. 

Botues i librit është Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Libri del në shitje këto ditë në libraritë “Dukagjini”, “Artini-Toena”, “Buzuku” dhe në Skriptorën e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Çmimi i tij është më i lirë se fotokopjimi potencial i tij. Pse? Sepse kemi dashur që, me vetësakrificë, ta lëmë te lexuesi kënaqësinë e leximit të librit në origjinal, pra jo për të ruajtur të drejtën e autorit sepse nuk është detyrë e jona. Ajo që duam dhe shpresojmë është që libri të lexohet, sido dhe në cilëndo  formë: ata që janë fanatikë të librit, megjithatë, më shumë e parapëlqejnë formën origjinale – kemi pasur kujdes që këta të ndahen të kënaqur me leximin. Në fund të secilës pjesë të tij gjendet seksioni me komente dhe pyetje për vetëvlerësim të atyre që e lexojnë, qasje kjo e teksteve universitare amerikane, me një dobi të rrallë në veçanti për studentët dhe ata që e përgatisin këtë lëndë.

Libri i dedikohet jo vetëm studentëve të drejtësisë, në të gjitha nivelet deri në doktoratë, por edhe lexuesit laik, atij lexuesi që dëshiron të mësojë e dijë më shumë për kategoritë themelore të së drejtës kushtetuese, lindjen dhe zhvillimin e saj, institutet e institucionet që ka, arsyen e ekzistimit dhe gjëra të tjera lidhur me të. Këtu kemi pasur kujdes që edhe çështjet aktuale t’i zbërthejmë në terma të saktë shkencor me bazë në literaturën më të re dhe më ekskluzive nga e drejta kushtetuese – çështjet që prekin diskursin kosovar e më gjerë, siç janë roli dhe pozita juridike e ndryshimeve në vijim e sipër në fizionominë e Shtetit të Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008, raporti i këtij ndryshimi me strukturat normative ekzistuese që u prodhuan nga 17 shkurti e deri më sot dhe gjëra të tjera si këto. 

Çdo trajtim i kategorive të së drejtës kushtetuese në këtë libër është bazuar në metodat të shkencës juridike, në rend të parë në metodën pozitiviste e krahasimtare, por edhe në metodën juridiko-historike. Kjo ka mundësuar përfshirjen dhe trajtimin  e kategorive të njëjta kushtetuese të sistemeve fqinje me Kosovën në rreshtat e seksionet e kapitullit të njëjtë: flasim e diskutojmë për shefin e shtetit, parlamentarizmin, ekzekutivin, gjyqësinë kushtetuese, institucionet e pavarura, të drejtat e njeriut, sistemin e drejtësisë dhe për shumë çështja të tjera nga e drejta kushtetuese pozitive e Kosovës, duke i krahasuar ato me të gjitha vendet fqinje të Kosovës. Pse? Sepse kemi synuar dhe duam që libri të gjejë përdorim në secilin mjedis shqipfolës në Ballkan dhe të jetë i krahasueshëm për të gjithë e nga të gjithë. 

Është e njohur thënia e fizikanit të madh, Albert Einstein, që thotë se një fenomen që nuk e shpjegon dot thjeshtësisht, është fenomen që nuk e kupton as vetë. Nga kjo merr shtysë edhe tentimi ynë për t’i shpjeguar çështjet profesionale e shkencore, me një diskurs miqësor e jopërjashtues edhe për lexuesin laik. 

Lexim të këndshëm!