08:20 / E Enjte, 22 Shkurt 2024 / MSH

Pula: Rregullorja e BQK-së ka efekt për të gjithë qytetarët e Kosovës

Janë bërë rreth një muaj që nga hyrja në fuqi e rregullores së re të BQK-së e cila e njeh si valutë zyrtare në Kosovë vetëm euron për përdorim të parasë së gatshme.

Edhe këto ditë ka pasur takime të akterëve ndërkombëtar me presidenten Osmani dhe guvernatorin e BQK-së për këtë çështje.

Njohësi i rrethanave politike Shqiprim Pula, tha në RTK se BQK-ja është organ i pavarur dhe vepron në bazë të kushtetutës së Kosovës dhe ka të drejtë të nxjerrë legjislacion sekondar në këtë rast rregullores. Ai tha se përgjegjësitë e BQK-së, burojnë nga kushtetuta dhe ligji.

“E gjithë përmbajtja e asaj rregullore nuk është se identifikon për të atakuar një pakicë të caktuar në Kosovë, ajo rregullore ka të bëjë me efektin e saj të përgjithshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës për gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Pula. Sipas tij, është fatkeqësi që është bërë shumë zhurmë për asgjë.

Për involvimin e akterëve të tjerë në këtë çështje, Pula tha se nuk i takon qeverisë dhe diplomatëve të përzihet në punët e BQK-së. Ai ka kritikuar BQK-në, për informimin rreth rregullores së përdorimit të parasë së gatshme.