09:39 / E Shtunë, 16 Shtator 2023 / Gj. Sh

Pulovra me delen e zezë e Princeshës Diana shitet për shumën rekord në ankand

Një pulovër e veshur nga Lady Diana, me të famshmen “delen e zezë” u shit në ankand për shifrën rekord të 1.143 milion dollarëve.

Pulovra e cila ishte veshur nga Diana kur nuk ishte martuar ende me princin Charles, u shit nga shtëpia e ankandeve Sotheby’s 10 herë më shumë nga parashikimet.

Në ngjyrë të kuqe dhe e dekoruar me dhjetëra dele të bardha, në mes të bluzës është një dele e zezë, që në atë kohë për shumë ekspertë ishte një mesazh i Dianës për mënyrën sesi ajo ndihej në oborrin mbretëror.

Bluza hyri menjëherë në histori dhe ishte një nga veshjet më të dashura për Dianën. Ajo u krijua nga stilisti Muir e Osborne dhe u vesh për herë të parë nga princesha në një ndeshje polo, kur ende ishte e fejuar me Princin Charles.