16:23 / E Enjte, 16 Janar 2020 / indeksADMonline

Putin dhe Assad kapen në video duke u tallur me Trump-in

Presidenti Putin zhvilloi një vizitë surprizë në Siri ku bisedoi me homologun Assad rreth zhvillimeve të fundit në vend.

Liderët e Rusisë dhe Sirisë shfaqen ndërsa diskutojnë rreth Donald Trump në një samit të zhvilluar së fundmi në Damask, gjatë vizitë në një Kishë Ortodokse greke.

Madje, në një video të regjistruar nga një gazetar rus ata janë filmuar duke u tallur me Donald Trump, ku thonë me qesëndi se kreu i Shtëpisë së Bardhë duhet të vizitojë Sirinë.

Videoja u regjistrua nga një gazetar rus dhe më pas u publikua në rrjetet sociale.

Gjatë diskutimeve të tyre, Putin dhe Assad biseduan për një histori të Biblës që flet për konvertimin e Saulit në të krishterë gjatë rrugës së tij për në Damask. Historia vijon më tej me Zotin që e godet persekutorin e të krishterëve, i cili u kurua dhe u kthye në rrugën e besimit.

Në video duket Assad që shprehet “Sikur të udhëtonte dhe Trump drejt Damaskut, do të kthehej në rrugën e duhur”. Të dy liderët më pas qeshën, përpara se Putin e shtyu Assad që t’i dërgonte një ftesë kreut të Shtëpisë së Bardhë duke shtuar “Ai do të vijë”. Assad më tej tha “Jam gati ta ftoj”, me Putin që i përgjigjet duke buzëqeshur “Do t’i them atij”. /IndeksOnline/