22:02 / E Enjte, 30 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Qeveria “Haradinaj”: Kuvendi s’i ka votat për ratifikimin e versionit aktual të Demarkacionit!

Ndonëse Podgorica zyrtare po insiston që çështja e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është punë e përfunduar, ndryshe po vlerësohet nga Qeveria “Haradinaj”.

Zyrtari për Informim në ekzekutiv,  Halil Matoshi ka shpjeguar për “Indeksonline” gjithë procedurën që duhet për ratifikimin e Demarkacionit. Sipas tij, qeveria është duke pritur ekspertizën e Komisionit të ri Shtetërorë e pastaj do ti përdorin të gjitha hapat konform këtij raporti.

“Qeveria e Kosovës ka obligim që ta presë ekspertizën e komisionit të ri shtetërorë  për shënjimin  dhe mirëmbajtjen e kufirit. Ai raport që do të jetë gati shumë shpejt, pastaj Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë hapat konform me gjetjet e komisionit, dhe sigurisht që do të procedojë çështjen në Kuvend, atëherë praktikisht kjo çështje i kalon Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Matoshi.

Qasja aktuale e Demarkacionit është e gabuar dhe e njëjta ose duhet të rinegociohet nga dy vendet, ose të dakordohen me një mekanizëm ndërkombëtar, thotë ai.

“Ne besojmë, do të thotë kryeminsitri, Haradinaj dhe qeveria që ai drejton beson se versioni i kaluar i komisionit të vjetër të shënimit dhe mirëmbajtjen e kufirit ka qenë i gabuar thjesht edhe kriteret edhe qasja ka qenë jo serioze, prandaj ne konsiderojmë se kjo çështje duhet ose të rinegociohet me Republikën e Malit të Zi ose duhet që dy vendet tona, Republika e Kosovës dhe Malit të Zi të dakordohen me arbitrazh ndërkombëtarë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për “Indeksonline”.

Në fund, ai tregon se legjislatura e tanishme  nuk i ka votat e mjaftueshme për ta ratifikuar versionin aktual të Demarkacionit.

“Në demokraci, pushtetet janë të ndara, ne nuk mundem të i përgjigjem një Kuvendi të Republikës se çfarë edhe si do të votojnë por ne konsiderojmë që kjo legjislaturë nuk i ka votat e nevojshme, do të thotë 2/3 për të kaluar versionin e kaluar të Demarkacionit”, thuhet në fund të përgjigjes nga Qeveria e Kosovës.

Ndryshe, zëvendës kryeministri i vendit, Enver Hoxhaj gjatë një konference në Uashigton ka deklaruar  se marrëveshja e Demarkacionit do të ratifikohet në fillim të vitit të ardhshëm.  Ai deklaroi se deri në këtë periudhë do të arrihet konsensus brenda koalicionit qeverisës dhe Kuvendit./Indeksonline//Ardian Beka/