14:48 / E Martë, 31 Korrik 2018 / indeksADMonline

Qeveria merr vendimin për shtatoren, autostradën dhe parkun me emrin e Adem Demaçit

Qeveria ka miratuar vendimin për komisionin për vendosjen e shtatores së Adem Demaçit në sheshin Adem Demaçi në Prishtinë, emërimin e autostradës Prishtinë – Pejë “Autostrada Adem Demaçi”, dhe propozimin për të emëruar Parkun e Qytetit të Prishtinës “Parku Adem Demaçi”.

Kujtojmë se një deklaratë të tillë, kryeministri Haradinaj e kishte dhënë në ditën e varrimit të veprimtarit Adem Demaçi, i cili vdiq në moshën 82 vjeçare.

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe ka luftuar për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë.

Për angazhimin e tij politik për çështjen e Kosovës, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë.

Ai është quajtur “Nelson Mandela” e Evropës.