20:02 / E Shtunë, 17 Prill 2021 / OSH

Qeveria: Ne nuk kemi mandat mbi Prokurorinë e Shtetit, veprimet e saj janë të pavarura

Qeveria e Kosovës, pas zhvillimeve të sotme, ka thënë se nuk e pengojnë punën e mediave dhe s’e lëndojnë lirinë e shprehjes.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, për IndeksOnline ka thënë se veprimet e Prokurorisë së Shtetit janë të pavarura.

Ai tha se thirrja e ministrit Vitia dje në konferencën për media ishte që prokuroria e shtetit të mbrojë interesin publik dhe shëndetin e qytetarëve.

“Thirrja e ministrit Vitia dje në konferencën për media ishte që prokuroria e shtetit të mbrojë interesin publik dhe shëndetin e qytetarëve nga persona që dëmtojnë procese kaq jetike dhe delikate, duke rrjedhë çerek informacione që janë konfidenciale”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka mandat mbi Prokurorinë e Shtetit. Veprimet e Prokurorisë janë të pavarura. Këto janë pushtete të ndara. Ata që nuk e kanë të qartë këtë, ose njëmend nuk e dinë ose kanë ngecur para 14 shkurtit, kur edhe mund të ketë pasur ndërhyrje të tilla në punën e prokurorisë. Qeveria asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk tenton të pengojë punën e medias apo të lëndojë lirinë e shprehjes”, tha Kryeziu.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka sqaruar shkuarjen e sotme në redaksinë e Gazetës Insajderi dhe intervistimin e drejtorit të Insajderit, Parim Olluri.

Përmes kësaj komunikate thuhet se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.

“Policia e Kosovës, pas pranimit të informatave se ishin publikuar informacione konfidenciale në median e shkruar, sipas autorizimeve ka ndërmarrë veprime ligjore drejt njoftimit të Prokurorisë kompetente. Pas këtij veprimi sipas urdhrit të Prokurorisë, veprimet e tjera janë ndërmarrë në përputhje të plotë me Legjislacionin në fuqi dhe të drejtat e garancitë që burojnë prej tyre”.