Qindra familje në Francë ngrenë padi kundër TikTok-ut nën dyshimet për “abuzim”
Qindra familje paraqitën sot një padi kolektive në zyrën e prokurorit të Parisit kundër rrjetit social TikTok për dyshime “abuzimi me dobësinë”, raportoi transmetuesi Franceinfo.
Familjet, të përfaqësuara nga avokatja Laure Boutron-Marmion, akuzojnë platformën për shfrytëzimin e cenueshmërisë së të miturve, në disa raste duke kontribuar në vetëvrasje dhe çrregullime të rënda të shëndetit mendor.
“Ne kemi një makinë të projektuar, të zhvilluar për të shfrytëzuar këtë cenueshmëri. TikTok-u krijon burgje mendore për adoleshentët, burgje ankthi”, tha Boutron-Marmion për Fanceinfo.
Ajo i krahasoi efektet e TikTok-ut me “krizën digjitale”. Padia synon drejtuesit e TikTok-ut në Francë dhe ndërkombëtarisht duke argumentuar se platforma është plotësisht e vetëdijshme se si funksionon algoritmi i saj i rekomandimeve.

