09:55 / E Enjte, 10 Dhjetor 2020 / OSH

Raketa e kompanisë SpaceX shpërthen gjatë uljes në Tokë

Një prototip rakete i kompanisë “SpaceX”, ka shpërthyer gjatë një tentative për t’u kthyer në Tokë nga një testim në lartësi të madhe.

Ky lloj i pajisjes është i krijuar për të dërguar njerëz në Mars.

Raketa “Starship” ka kryer testimin për gjashtë minuta e gjysmë nga Teksasi, në një mision për të arritur lartësinë prej 12.5 kilometrash dhe për të bërë kthimin në mënyrë vertikale.

Mirëpo ky prototip i testuar i anijes kozmike është përplasur gjatë lëshimit në tokë dhe meqë shpejtësia ka qenë e madhe, pajisja ka marrë flakë.

Megjithatë, shefi ekzekutiv i kompanisë “SpaceX”, Elon Musk, ka thënë se ekipi ka marrë të dhënat që i janë dashur.

Nisja e pajisjes është shfaqur edhe në kanalin e “SpaceX”-it, në YouTube.

“SpaceX”-i deri tani ka kryer pesë testime të modelit “Starship”, mirëpo modelet e mëparshme nuk kanë fluturuar më shumë se 150 metra.

Kjo kompani beson se do të mund të dërgojë njerëz dhe mallra në Mars brenda gjashtë vjetëve të ardhshëm.