08:36 / E Diele, 19 Maj 2019 / indeksADMonline

Rakiq: Ky është referendum për ekzistencë

Kandidati i Listës Serbe për komunën e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, pasi ka votuar, ka thënë se qytetarët e Mitrovicës e kanë kuptuar seriozisht rëndësinë e këtyre zgjedhjeve lokale, që është referendum për ekzistencë në këto hapësira.

Rakiq ka ftuar qytetarët që të dalin në votime dhe të dëshmojnë se sa domethënëse është për ata të mbeten dhe të jetojnë në këto hapësira.

“Kemi kryer obligimin tonë qytetar. Siç mund të shihni edhe vet, qytetarët e Mitrovicës e kanë kuptuar seriozisht rëndësinë jo vetëm të këtyre zgjedhjeve lokale por bukfalisht referendumit, i cili për neve që jetojmë këtu do të thotë ekzistencë në këto hapësira. Kisha shfrytëzuar rastin të ftoj të gjithë qytetarët që në mënyrë sa më masive të dalin në këto zgjedhje dhe të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe ftoj të gjithë qytetarët jo vetëm të Mitrovicës së veriut, por edhe të Leposaviqit, Zubim Potokut, Zveçanit që të dalin me familje, me fqinjët, që ta shfrytëzojnë këtë ditë dhe të dëshmojnë se sa për neve do të thotë bashkimi, uniteti dhe sa domethënëse është për neve që të mbetemi dhe të jetojmë në këto hapësira”, tha ai.

I pyetur se a do ta pranonte rezultatin nëse do të fitonin kundër kandidatët e tij, Gonxhe Çaushi nga PDK ose Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, ai tha se do ta pranojnë atë që qytetarët vendosin.

“Nuk është në ne a do ti pranojmë zgjedhjet, sot qytetarët vendosin dhe zgjedhin, ndërsa, ne do të pranojmë atë që vendosin qytetarët”, tha ai.

Rakiq është pyetur nëse do të jap dorëheqje sërish nëse fiton zgjedhjet dhe bëhet kryetar i kësaj komune.

“Të presim një herë të vendosin qytetarët, pastaj do të vendosim për diçka të tillë”, tha ai.

Përndryshe, Rakiq ka shkuar për të votuar në mënyrë të organizuar me rreth 100 qytetarë.