13:25 / E Enjte, 16 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Rama i prerë: Nuk jam avokati i Tahirit, të përgjigjet para drejtësisë

Çështja e Tahirit është pika kyçe në akuzat ndaj qeverisë Rama. ditën e sotme në Kuvend, Rama i është përgjigjur Bashës në lidhje me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Me tone të ashpra kryeministri tha prerë se kush shkel në dërrasë të kalbur duhet të përgjigjet para drejtësië.

“Më thua kam 4 javë që nuk flas për Saimir Tahirin. Por çfarë të them unë për Tahirin. Mua më takon të flas? Apo është detyra jote?

Nuk është as e imja, e as e jotja, por është e atyre që po e hetojnë Tahirin dhe nuk të ka caktuar njeri ty të bësh as gazetarin, as prokurorin, as gjykatësin, dhe as gjykatën supreme.

Po e bën sepse jo e vërteta, por pushteti është e vetmja gjë që të intereson. Dhe për pushtetin je në gjendje të bësh llum çdo gjë. Ndërkohë që unë të them që jemi shumë ndryshe, ne dhe ju, unë dhe ti.

Ilir Beqja të ka ftuar në Gjykatë për ato që thua për të. Bën akuza penale, kriminalizon gjë njeri që të del përpara, dhe pastaj mbrohesh si gazetar.

Ta kesh të qartë, ta keni të qartë të gjithë, unë kam qenë dhe do jem gjithmonë ky. Unë bashkëpunëtorët i besoj të gjithë, dhe mbroj deri në fund idetë që ndajmë, punën që bëjmë.

Por unë nuk jam avokati i asnjë bashkëpunëtori, kush prek në dërrasë të kalbur, të shkojë e të përgjigjet aty ku duhet të përgjigjet çdo njeri që ka besimin publik dhe prek në dërrasë të kalbur.

Nuk e bëj dot për askënd atë që bëri Saliu për ty, kur u akuzove dhe u shmange me raport mjekësor dhe s’u paraqite fare”, u shpreh kryeministri Rama. /albeu.com/