19:13 / E Premte, 21 Qershor 2019 / indeksADMonline

Rama për Associated Press: Opozita plan për të penguar procesin e integrimit

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median prestigjioze “Associated Press”. Rama shprehet se qëllimi i opozitës është dëmtimi i rrugës të Shqipërisë drejt BE-së.

Kreu i qeverisë në intervistë thotë se PS mbetet e vendosur të shkojë në zgjedhje më datë 30 qershor, pavarësisht trazirave të nxitura nga opozita e bashkuar.

“Protestat bëhen vetëm me qëllimin negativ që të pengohen zgjedhjet e datës 30 qershor. Këto protesta vetëm dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe tregohet në Bruksel dhe në Europë se ky vend njeh sipas opozitës vetëm trazira”, thotë Rama për protestat opozitare në Tiranë, të cilat i konsideron të dhunshme.

Rama tha se tashmë është koha për të dëgjuar njerëzit ndërsa deklaroi se do të rifillojë thirrjet për dialog pa kushte pas përfundimit të zgjedhjeve.

Ai deklaroi se argumentet që sjell opozita për qëndrimet e saj nuk janë të qëndrueshme, duke i quajtur përpjekjet e tyre një plan për të dëmtuar negociatat me BE.

Kreu i qeverisë përsëriti deklaratën me të cilën argumenton qëndrimin e opozitës duke thënë se ato i tremben reformës në drejtësi. “Epoka e mosndëshkimit do të përfundojë dhe ky është problemi” për opozitën, tha ai./noa.al/