14:01 / E Hënë, 18 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Rama: Protesta e opozitës, pikë mbrapa për integrimin

Shqipëria është në prag të çeljes së negociatave, dhe një shfaqje si kjo e sotmja është pikë mbrapa ka thënë kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp nga selia e kryeministrisë, pak pas betimit të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.

“Bëra sa munda dhe sinqerisht nuk e di çfarë mund të bëja më shumë për të çelur dialogun me opozitën lidhur me zgjedhjen e prokurorit të përkohshëm. As kërkesat e përsëritura të SHBA dhe BE për të gjetur një zgjidhje me mirëkuptim nuk mjaftuan dot për ta sjellë opozitën në tryezën e dialogut mbi këtë çështje”.

“Zgjedhja e Prokurores së Përgjithshme me mandat të përkohshëm me vetëm votat tona ishte zgjdhje legjitime, kushtetuese, e konfirmuar shkresërisht dhe nga misionet e drejtësisë së SHBA dhe BE që asistojnë që prej ditës së parë procesin e vështirë të reformës në drejtësi, po jo zgjedhja e dëshiruar prej nesh”.

Dëshironim zgjedhje me mirëkuptim përmes dialogut me opozitën. Për ne nuk kishte rëndësi vetëm që të respektohej Kushtetuta e ligji e të përmbushej ky detyrim i procesit të reformës në drejtësi, po ishte me rëndësi që këtë detyrim ta përmbushnim bashkarisht me opozitën. Jemi në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, presim çeljen e negociatave për anëtarësim dhe ashtu sikundër çdo shfaqje uniteti në funksion të Kushtetutes, ligjit dhe reformës në drejtësi është një pikë e fituar, ashtu dhe çdo shfaqje si kjo e sotmja është një pikë e humbur”, deklaroi Rama, shkruan Top Channel.