14:54 / E Hënë, 10 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Rama: Shqipëria ka taksat më të ulëta në rajon

Shqipëria ka taksat më të ulëta në rajon. Kështu ka deklaruar sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë video-konferencës drejtuar protestës së studentëve ndërsa solli shifra krahasuese me vendet e rajonit.

“Nëse marrim Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe shohim përqindje sipas prodhimit të brendshëm, është e vërtetë ne jemi më poshtë se të tjerët. Nuk kemi qenë asnjëherë më lart por ku është ndryshimi sot nga 5 vjet më parë? Shumë njerëz e përjetojnë si shkatërrim faktin që paguajnë dritat, shumë njerëz e shikojnë si shkatërrim faktin që paguajnë ujin. Me keqardhje, por nuk ka rrugë tjetër. Ama, nuk e dini sesa taksa paguajnë në Serbi. Ata të cilët paguajnë tatim fitimin nga rroga 10% taksë e sheshtë, siç e kishte Shqipëria e Saliut, njësoj. 10% në të gjithë rajonin është pak a shumë i njëjti sistem”,tha ndër të tjera Rama.

Ai theksoi se fakti që taksat janë në këto nivele, e vendosin qeverinë përballë pozicionit të vendosjes së ekuilibrave, duke mos rënduar xhepat e shqiptarëve.

“E dini ju se kush paguan 10% taksë nga rroga në Shqipëri? Ata që e kanë rrogën 1.5 milion dhe pastaj me lart, shkon më lart. Deri nën 1.5 milion rrogën, mesatarja e përgjithshme është 5%. Po mirë, nga vijnë këto, duan këtë, duam atë. Pa diskutim, të gjitha janë legjitime, por nga, si? E dini sa është taksa për biznesin e vogël në Serbi, në Mal të Zi, Kosovë, të mos flasim për Greqi e të tjera. Ndërkohë, a e dini sa është taksa 10%? Këtu, më gjeni ju studentët e ekonomisë, ma gjeni një vend tjetër kur biznesi deri 140 mijë dollar xhiro paguan 5% taksa. Të gjitha këto na vendosin në pozicionin që të mbajmë ekuilibra sepse nuk mund t’i themi njerëzve paguani më shumë taksa”, tha Rama.