22:11 / E Martë, 22 Qershor 2021 / C E

Ramadani: Fituam pa pësuar gol, ndeshja tjetër më e vështirë për dy arsye

Prishtina mposhti Folgoren me rezultat 2-0 dhe kaloi në finale të parakualifikueseve të Ligës së Kampionëve.

Trajneri i skuadrës kampione të Kosovës, Zekirija Ramadani ka thënë se luajtën lojë ofenzive dhe se i gëzohet faktit që nuk pësuan gol.

U pa e qartë që duhet të luanim futboll ofenziv me ritëm të lartë, kishim volum dhe arritëm të krijojmë shumë raste. Pjesën e dytë ishim më të kujdesshëm dhe cilësinë e kishim më të lartë. Arritëm të shënojmë gol dhe gjetëm edhe golin e dytë. Më gëzon fakti që nuk pësuam gol”, ka thënë trajneri nga Shkupi.

Trajneri e vlerëson kundërshtarin e radhës si më të vështirë dhe ka përmendur dy arsye.

Ndeshja tjetër pritet të jetë më e vështirë, edhe për faktin që është finale dhe futbolli i Andorrës është në progres”, tha Ramadani pas ndeshjes.

Unë mendoj që do të jetë një ndeshje cilësore dhe do të na duhet më shumë cilësi dhe do të na duhet më shumë përqendrim para golit dhe shpresojmë që të shënojmë gola më shumë se sot”, përfundoi ai.

Në finale, Prishtina do të luaj kundër skuadrës nga Andora, Inter Escaldes. /IndeksOnline/