17:04 / E Premte, 03 Gusht 2018 / indeksADMonline

Ramiz Lladrovci diçka si Thaçi, i ndanë mirënjohje këtij këngëtari

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur në takim këngëtarin e mirënjohur Ardian Bujupi, të cilit i uroj suksese të mëtutjeshme në karrierën e tij vendore dhe ndërkombëtare.

“ Më vjen mirë për suksesin tuaj në vitin 2011 në DSDS (Deutschland Sucht Den Superstar), në të cilin ke kaluar të gjitha fazat dhe keni arritur të hyni në finale dhe të përfundoni në vendin e tretë krahas konkurentëve tjerë gjerman. Më vjen mirë për sukseset tuaja që ke në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Gjithashtu më vjen mirë që një shqiptar i Komunës së Drenasit ka arritur suksese të mëdha si në arenën ndërkombëtare po ashtu edhe atë vendore” u shpreh Kryetari Lladrovci.

Gjatë takimit kanë biseduar edhe rreth aktiviteteve kulturore të Komunës së Drenasit si dhe për 28 ditët e aktiviteteve të Muajit të Mërgatës organizuar për nderë të bashkëatdhetarëve.

Me këtë rast, këngëtari Ardian Bujupi e falenderoi shumë Kryetarin Lladrovci, i cili theksoi “se po ndihem jashtëzakonisht i nderuar për pritjen që ma keni bërë sot në komunë”. Ai po ashtu theksoi “që është hera e parë ku u prita zyrtarisht në një institucion dhe më vjen shumë mirë që pritja institucionale më është bërë pikërisht në vendin prej nga edhe e kam prejardhjen”.

Kryetari Lladrovci nderoi me mirënjohje këngëtarin e mirënjohur Ardian Bujupin.