20:05 / E Hënë, 14 Maj 2018 / indeksADMonline

Raporti i Punës, ja çka deklaroi sot para Haradinajt, zv/ministri i MPB-së (Dokument)

Ndër zëvendësministrat që sot ia dorëzuan Raportin e Punës kryeministrit Ramush Haradinaj, ishte edhe Abdulselami Shkodra.

Shkodra i cili mban postin e zv/ministrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Raportin e tij ka sqaruar se me datë 1 nëntor të vitit 2017 është emëruar si koordinator nacional kundër narkotikëve, pastaj koordinator nacional për siguri kibernetike, si dhe koordinator nacional kundër krimit të organizuar.

Në Raportin e siguruar nga Indeksonline, Shkodra ka treguar se prejse ka marrë mandatin në këtë pozitë, ka realizuar 15 vizita pune, 18 takime pune, 9 pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare si dhe 4 vizita pune jashtë vendit.

Gjatë vitit 2017, Shkodra ka bërë të ditur se lufta kundër korrupsionit është fuqizuar duke ashpërsuar masat dhe duke rritur numrin e rasteve të hetuara. Sipas Raportit të tij, janë hetuar 161 raste të veprave penale kundër ekonomisë, 166 raste të veprave penale kundër detyrës zyrtare, 111 raste kundër pasurisë.

Po ashtu, janë organizuar 9 operacione policore dhe 28 plane operative, janë arrestuar 91 persona të dyshuar, janë ngritur 370 kallëzime penale, janë shkatërruar 7 grupe kriminale, si dhe janë hetuar 3 raste kontrabandë me mallra., 54 raste të krimeve kibernetike, etj.

Në takimet jashtë vendit, Shkodra ka raportuar se të parin e ka zhvilluar në mars të këtij viti, në Zvicër dhe tjetrin po në këtë muaj, në Maqedoni, raporton Indeksonline.

Në prill ai ka qëndruar në Sofje, në takimin e Ministrave të Brendshëm të Ballkanit Perëndimor. Ai gjatë këtij muaji ka qenë pjesëmarrës edhe i një konference në Bruksel.

Më poshtë mund të shihni Raportin e Punës të kompletuar që Shkodra ia ka dorëzuar Haradinajt./Indeksonline/