09:46 / E Hënë, 29 Nëntor 2021 / MSH

Raportimet për sulm në Kosovë, Ambasada Amerikane flet për Indeksonline

Të shtunën u raportua se mund të ketë rrezik sulmi në Kosovë.

Në media qarkulloi një mesazh që ishte dërguar nga institucione ndërkombëtare tek punonjësit e tyre në Kosovë, ku porositej të bëhej kujdes nga sulme të mundshme terroriste, sidomos deri më 30 nëntor.

Vëmendja u kthye kah Ambasada Amerikane, e cila në njoftimet e saj për udhëtime, më 22 nëntor kishte vënë Kosovën në listën e shteteve ku duhej “rikonsideruar” udhëtimi.

“Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani për shkak të potencialit për trazira civile për shkak të tensioneve etnike” shkruhej në njoftimin e 22 nëntorit.

Megjithatë, kjo është konsideruar si diçka jo e re nga ana e Ambasadës.

Në një përgjigje për Indeksonline, zëdhënësi i Ambasadës së ShBA-së në Kosovë, Eric Brassil, tha se Ambasada është duke monitoruar kërcënimet lokale, ndërsa paralajmërimi që po qarkullonte nuk ishte nga misioni ku ai punon.

Ai gjithashtu shuajti spekulimet mbi deklaratën se qytete të Kosovës mund të jenë të rrezikshme, duke thënë se kjo nuk është diçka e re, as në Kosovë e as në Ballkan në përgjithësi.

“Ambasada e ShBA-së monitoron kërcënimet lokale për të garantuar sigurinë e punonjësve tanë dhe qytetarëve amerikanë që jetojnë në Kosovë. Për këtë arsye jemi në komunikim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës. Ne nuk ishim një nga misionet/ambasadat që paralajmëruan punonjësit tanë dhe/ose qytetarët amerikanë për këtë kërcënim të veçantë dhe nuk kemi plane ta bëjmë këtë momentalisht. Gjuha në lidhje me aktivitetin e mundshëm terrorist në Ballkan ka qenë në faqen e internetit për shumë muaj. Kjo nuk është e re. në fakt, të hënën e kaluar, më 22 nëntor, këshillimi i udhëtimit zbriti nga “Mos udhëto” në “Rikonsideroni udhëtimin”. Kjo kryesisht nxitet nga të dhënat nga CDC në lidhje me rrezikun e COVID-19 për amerikanët që mund të udhëtojnë në Kosovë”, ka deklaruar Brassil për Indeksonline.

Burime të Indeksonline, ditë më parë, konfirmuan se lajmet për këtë sulm po bëhëshin për të nxitur panik te qytetarët.