11:18 / E Martë, 28 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Raportuesi i OKB-së për burgjet e Kosovës: Të eliminohen ndëshkimet e policisë në qendrat e paraburgimit

Një javë pasi Raportuesi Special i OKB’së për torturën dhe trajtimin çnjerëzor, Nils Melzer qëndroi në Prishtinë, ka dalë me një raport për trajtimin e të burgosurve që ndodhen në qendrat e paraburgimit në Kosovë. Eksperti, në raportin e tij për burgjet në Kosovë dhe Serbi ka thënë se ka përparime, por thotë se duhen ende përparime për të luftuar paraburgosjen arbitrare.

Raportuesin Special i Kombeve të Bashkuara për torturën dhe trajtimin ose ndëshkimin e egër, çnjerëzor ose poshtërues, Nils Melzer, para një jave, derisa ndodhej në Kosovë për të përpiluar raportin me të gjeturat e tij në burgjet e Kosovës dhe Serbisë, në Prishtinë takoi edhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Haradinaj kishte treguar se e ka njoftuar Melzer se në Kosovë, ka i përkushtim maksimal që personave që bien ndesh me ligjin t’u sigurohen kushte dhe trajtim human dhe të dinjitetshëm, konform standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Megjithatë, kjo nuk e ka bindur krejtësisht raportuesin special të OKB’së. Ai në një raport të përbashkët për trajtimin e të paraburgosurve në Kosovë dhe Serbi, ka gjetur mjaftë mangësi, dhe ka bërë thirrje për më shumë përmisime. Ndonëse, sipas raportuesit Melzer ka përparime, shkruan Gazeta Express.

Duke treguar se ka përparime, madje edhe ka përgëzuar të dy vendet për përmisimet, eksperti i OKB’së ka thënë se Kosovë dhe Serbia duhet të bëjnë më shumë punë për shmangien e paraburgimit arbitrar dhe të parandalohen ndëshkimet e policisë në qendra të paraburgimit.

“Serbia dhe Kosova kanë bërë një rrugë të gjatë në përmisimin e trajtimit të të burgosurve dhe duke i dhënë fund torturës, por ende duhet të bëjnë më shumë për të luftuar paraburgimin arbitrar dhe pandëshkueshmrinë e policisë”, ka thënë raportuesi special i OKB’së për torturën, në të gjeturat faktike që i përmblidhi në një raport, pas vizitës në Prishtinë dhe Beograd.

Si në Kosovë, ashtu edhe në burgjet serbe, Raportuesi Special ka pranuar ankesa të shumta për keqtrajtim të të paraburgosurve gjatë marrjes në pyetje nga ana e policisë, si mjet për të detyruar konfesionet e veprave penale, në veçanti kur ato kanë të bëjnë më narkotikë, terrorizëm dhe krim të organizuar.

“Të dyshuarit raportuan se ishin goditur me shuplaka dhe rrahur me grushte. Kërcënoheshin me armë zjarri dhe u detyruan të pranonin fajësinë për krime të shumëfishta, ndonjëherë në këmbim të dënimeve më të buta apo të lirimit me kusht”, thotë Melzer në raport.